Shtesat në pallate, emrat e 255 banorëve që duhet të shlyejnë detyrimet financiare
Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor për 255 familje që janë poseduese dhe kanë vetëdeklaruar për qëllim legalizimi shtesat pa leje që ata kanë ndërtuar në objektet me leje në qytetin e Tiranes, kryesisht të Njësisë nr.7, 5, 2 dhe 3. Personat e listës së mëposhtme janë të lutur të paraqiten pranë Drejtorisë Qëndrore të ALUIZNI-t, në adresën: Rruga “Skënder Kosturi”, ish Instituti i Perim-Patates, Tiranë, për të tërhequr formularët e pagesave per shlyerjen e detyrimeve financiare të objekteve koresponduese me qëllim që të proçedohet më tej me legalizimin e këtyre objekteve dhe regjistrimin e tyre ne ZRPP. Ndërkaq ALUIZNI njofton se në bazë të ndryshimeve të miratuara së fundi nga Parlamenti njofton mundësinë e re që kanë qytetarët për të paguar, për parcelën ndërtimore të objektit informal me bonot e privatizimit, krahas pagesës në lekë. Poseduesit e objekteve informale me funksion banimi, apo të përzier, të kualifikuara për legalizim, me hyrjen në fuqi të ligjit, kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë, për pagesën e parcelës ndërtimore me bono privatizimi, sipas përcaktimeve të nenit 1 dhe 2 të ligjit nr.10219. Bëjnë përjashtim nga ky rregull, objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni, dhe shtesat informale në objekte me leje. Përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit, ndahen sipas vendodhjes së objektit informal dhe sipas sipërfaqes së parcelës që kalon në pronësi të poseduesit të ndërtimit informal. Për objektet pa leje në zona informale, jashtë vijës kufizuese të ndërtimit, për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në castin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet. Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit, vija e verdhë, për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në castin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50% të vlerës me bono privatizimi. Ligji parashikon përfitimin e lehtësive të parashikuara në të, edhe për poseduesit e objekteve informale, që kanë kryer pagesa të mëparëshme, të parcelës ndërtimore të objektit. Këta subjekte, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur, apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të bonove të privatizimit, kanë të drejtë që brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, nr 10219 “Për disa shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t. Procedurat dhe afatet për rimbursimin e tyre, do të rregullohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Poseduesit e objekteve informale, sipas përcaktimeve në ligjin nr 10219, datë 4.2.2010“Për disa shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, mund të paraqesin kërkesat pranë Drejtorive Rajonale të ALUIZNI-t, me hyrjen e në fuqi të tij, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi.
23 Shkurt 2010