E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Dubai, BE-ja kërkon sqarime nga ministri izraelit Lieberman



Një situatë aspak komode është krjuar dje për ministrin e jashtëm të Izraelit, Avigdor Lieberman i cili u është përgjigjur pyetjeve të Ministrave të jashtëm të BE-së, lidhur me vrasjen e një funksionari të Hamasit, vrasje e cila rëndon mbi agjentët e sigurimit izraelit “Mossad”. Edhe pse nuk ishte zyrtarisht pikë e diskutimit të takimit mujor, përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian i drejtuan pyetje ministrit Lieberman për vrasjen që ndodhi në Dubai. Supozohet se shërbimi sekret izraelit ka përdorur gjatë kryerjes së vrasjes, pasaporta të falsifikuara nga disa vende europiane. Në mes të muajit janar, Mahmud al-Mabhuh-it, një ish-funksionar të lartë dhe kontrabandist i supozuar armësh, u vra në mes të Dubait. Shefi i policisë së Dubait është shprehur 99 për qind i sigurt për këtë. Edhe mes diplomatëve europianë nuk është i pakët numri i atyre, që mendojnë se “Mossad”-i mund të ketë bërë një gjë të tillë. Një gazetë britanike njoftonte fundjavën e fundit, se kryeministri Netanjahu e ka lejuar vetë personalisht aktin e vrasjes. Kriza diplomatike midis Izraelit dhe disa vendeve europiane është kthyer në çështje të ngatërruar, sepse komanda 11 vetëshe, që ka kryer vrasjen ka përdorur pasaporta nga vendet europiane, nga Irlanda, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Një nga pasaportat e përdorura është nxjerrë në Këln. Prokuroria e atjeshme ka nisur hetimet për të nxjerrë, nëse një vrasës i mundshëm ka mashtruar autoritetet me anë të një identiteti të falsifikuar për të marrë pasaportën. Zemërim i madh është shkaktuar në Irlandë. Pesë nga pasaportat e fituara me dredhi, vijnë nga Irlanda, kështu edhe ministri i Jashtëm Majkëll Martin ka vendosur një takim me Liebermanin. Në këtë takim ai shprehu shqetësimin e madh dhe kërkoi sqarime rreth çështjes serioze.
Përzgjedhja e fjalëve, që përdori Martins dhe kolegët e tjerë pas takimit me Liebermanin, nënkuptoi potencialin acarues të krizës midis Izraelit dhe partnerëve europianë. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vesteruelle, ka kërkuar sqarim të shpejtë dhe të plotë të rastit. Këtë ai nuk ia komunikoi drejtpërdrejt ministrit Liebermanit, sepse në takimin e kolegëve ka dërguar ministrin e shtetit, Hoyer. Në këtë takim u diskutua edhe për tema të njohura të programit atomik iranian, Afganistani, Zimbabveja, gjendja në Haiti, në Ukrainë dhe në Bjellorusi. Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve të Bashkimit Europian, pas takimit u shprehën se u arritën përparime të dukshme lidhur me temat e trajtuara.

Aksident në Austri, vdesin 6 kosovarë

Gjashtë kosovarë kanë gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti në afërsi të Vjenës, kur autobusi me të cilin po udhëtonin është përplasur me dy kamionë. 30 persona të tjerë mbetën të plagosur, 7 prej të cilëve, në gjendje kritike për jetën. Autobusi i përket kompanisë “Polluzha” nga Prizreni dhe mësohet të ketë pasur gjithsej 42 udhëtarë. Në mesin e të lënduarve ishte edhe një grua shtatzënë. Shkaku i aksidentit nuk është zbardhur ende, por policia ka nisur menjëherë një hetim për të zbuluar si identitetin e viktimave, ashtu edhe shkaqet e episodit. Deri tani konfirmohet se në mesin e të vdekurve janë dy shoferët e autobusit. Sipas raporteve fillestare në media, autostrada ka qenë e mbuluar nga një shtresë akulli, por zyrtarët i mohuan të tilla pretendime, dhe insistojnë se rruga ka qenë e thatë dhe se një ditë më parë, koha kishte qenë me diell.

Turqi
Policia shmang grushtin e shtetit, 40 të arrestuar

40 persona janë arrestuar në Turqi si pasojë e përpjekjeve ushtarake për të rrëzuar qeverinë islamike të partisë “AKP”.
Policia ka reaguar menjëherë duke vënë në pranga personat, mes të cilëve oficerë të lartë të forcave të armatosura, gjithmonë përkrah laicitetit të vendosur nga Kemal Ataturk. Lajmin e kanë bërë të ditur agjencitë turke, të cilat citojnë direkt kryeministrin Erdogan. Operacioni, i koduar me emrin “Cekici”, u krye në mëngjes dhe mes 40 të arrestuarve ishin edhe 14 oficerë të lartë, shumica e të cilëve me gradën gjeneral.

Afganistan
NATO-ja bën gabimin e radhës, vret 33 civilë

Forcat ndërkombëtare të NATO-s në Afganistan kanë kryer një ofensivë të gabuar, nga e cila kanë mbetur të vdekur të paktën 33 civilë. Bombardimet e avionëve kanë shënjestruar njerëzit e thjeshtë në provincën e Uruzganit në qendër të vendit aziatik. Mes viktimave kishte edhe gra e fëmijë, ndërsa të plagosurit ishin me dhjetëra. Sipas burimeve qeveritare, lajmin e vrasjes së civilevë e kanë konfirmuar forcat e misionit “Isaf” që kishin ndërmarrë një ofensivë për të eliminuar bazat talebane në Uruzgan.

Greqi
Papandreu paralajmëron: “Kriza mund të përhapet në eurozone”

Kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu ka paralajmëruar se problemet ekonomike të vendit të tij mund të përhapen duke infektuar dhe vende të tjera. Ai e bëri këtë paralajmërim në një intervistë dhënë kanalit të parë televiziv të BBC-së. Papandreu e përshkroi këtë kohë, si një prej momenteve më të vështira të historisë bashkëkohore të Greqisë. Ai tha se Greqia duhet lejuar që të marrë hua me të njëjtën kamatë si vendet e tjera dhe se qeverisë së tij i nevojitet mbështetje politike, jo financiare, për të demonstruar se sërish mund t'i besohet.

23 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›