E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prisni për ta parë teatrin!



Një ditë para se shfaqja të ngjitet në skenë, atëherë tha Albert Minga se do të tregojë për vizionin e teatrit të tij, si regjisor. Premiera do të jetë më 20 shkurt. Tani është shumë herët të flitet për estetikën e shfaqjes. Realizimi artistik, ajo për të cilën u pyet Minga, mbeti pa përgjigje. Grupi i aktorëve që nuk ka shumë ditë që janë njohur me veprën, dje nuk kanë mundur të dëgjojnë qartësisht regjisorin, pse i ka zgjedhur ata në këtë vepër, përpos faktit se janë aktorët e preferuar të Mingës. Por edhe më të mirët e Teatrit.

Bëhet fjalë për shfaqjen “Filumena Marturano”, të autorit italian Eduardo Di Filipo, shkruar gjatë viteve ‘40, në një realitet krejt të ndryshëm nga ky i yni sot.

Por Minga ka treguar se sa i prekur ka qenë nga mesazhi i veprës, që flet për njerëzit borgjezë, që e ka nxitur ta zgjedhë për teatrin shqiptar. Përveç anës realiste, “shumë realiste” të shfaqjes, regjisori nuk ka mundur të na prezantojë më gjatë realizimin e tij artistik. Kjo është nga ato vërejtje që tërhiqen shpesh kur në bordin e TK-së shkojnë projekte me një platformë sa për të fituar paratë. Për Mingën ky është viti i dytë që fiton, pas vënies rekord të dramës së Millerit “Pamje nga ura”, ndërkohë që spunto në përzgjedhjen e kësaj vepre, sipas tij, është intensiviteti i saj mbi skenat mbarëevropiane. Dhe si gjithmonë, regjisorët hyjnë në një hulli, ta sjellin veprën në kohë, se me çfarë mjetesh dhe me çfarë gjuhe, atë presim ta shohim në ditën e premierës, për ta kuptuar më mirë. “Ashtu siç ndodh me veprat e mëdha, autorët përkatës i thyejnë kufijtë e kohës duke dhënë një mesazh natyral”, - shprehet regjisori i kësaj premiere, Albert Minga.

Kësaj here ai na sjell një tjetër “pamje”, jo nga ura, por ballafaqimin e realitetit shqiptar me dilemat sentimentale të një gruaje napolitane, e cila për shkak të keqkuptimeve të veprimeve të saj prej “femre” i cungojnë qetësinë shpirtërore.

“Realiteti i sotëm shqiptar, fatkeqësisht, është i mbushur me histori “filumenash”, të cilat mbajnë të ndrydhura thellë në shpirtin e tyre drama edhe më të fuqishme se Filumena jonë”, - pohon Minga, duke theksuar se “kjo është një vepër pa efekte e cila flet për shpirtin e njeriut duke krijuar në këtë mënyrë edhe një raport të ngushtë mes autorit dhe spektatorit”. Një tip bashkëbisedimi e ka konsideruar dje Minga në konferencën për shtyp. Pothuajse, gjatë gjithë prononcimit të tij në konferencën për shtyp, regjisori vetëvlerësonte faktin e kësaj përzgjedhjeje, duke u nisur vetëm nga përmbajtja e historisë së një ish-prostitute, duke na bërë të qartë se spektatori shqiptar do ta gjejë shfaqjen si një pikë të fortë të lidhur pas vetes.

Por nuk lë mënjanë pa përmendur edhe “fletën e lavdërimit” kundrejt aktorëve të tij të preferuar, për të cilët argumenton se në këtë premierë ata do të vijnë me një temperament të ri në skenë. “Premiera është një ansambël, që ka nevojë për kontributin e aktorëve, me qëllim që mesazhi në skenë të vijë sa më komod”, tregon ai, por ndërkohë që ky mesazh për momentin mbetet “jetim”, për të cilin Mingra preferon të shprehet se “vizionin tim do ta tregoj me shfaqjen në skenë”. Kjo është një vepër e cila është ende në kuadër të përgatitjeve, por data e vërtetë e ngjitjes së saj mbi skenë e Teatrit Kombëtar nuk është vendosur përfundimisht. Megjithatë, sipas drejtorit të TK-së, ajo pritet të shfaqet diku brenda intervalit 15-20 janar.

Në rolet kryesore do të interpretojnë aktorët Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, artistja e popullit Tinka Kurti, Vangjel Toçe, Olta Gixhari, Neritan Liçaj, Gjergji Mena, Arben Derhemi, Fadil Kujofca, Nigela Ruka etj. Edhe kësaj here, skenografia dhe kostumet do të përgatiten nga artisti i popullit, Agim Zajmi.

Pas deklarimit të premierës së regjisorit Albert Minga në konferencën për shtyp, edhe drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, ka paraqitur “suksesin” e premierave të vëna në Teatrin Kombëtar për 2008-n. Promovimi i produksioneve skenike, lëvizjes teatrore, dramaturgjisë dhe trashëgimisë botërore, individualiteteve krijuese ka qenë një veçori e TK-së, sipas drejtorit, për këtë vit. Janë pak skeptike deklarimet e drejtori të TK-së se shfaqjet kanë qenë “promotor të lëvizjes teatrore në Shqipëri”, kur nuk janë realizuar në një vit më shumë se tre premiera, dhe për më tepër asnjë konkurrent në treg.

Ndërsa, “tradita e pasur teatrore”, që ka përmendur Skrami si arritje e TK-së, është pak e çuditshme të deklarohet kur të gjithë janë koshientë, dhe çdo ditë ngrenë për debat krizën e teatrit. Një regjisor grek, që nuk ka kushedi çfarë përvoje nga teatri antik, siç u prezantua në Tiranë, ka qenë kulmi i Teatrit tonë Kombëtar. Ndoshta duhet theksuar për një arsye fare të thjeshtë, se u mësoi aktorëve se çfarë është disiplina artistike, por dhe më në fund në skenë u vu një vepër nga antikiteti. Ndërsa kryefjala e Skramit duket se është më shumë bashkëpunimi mes tre vendeve shqipfolëse, Shkupit, Prishtinës e Tiranës - nënshkrimi i një memorandumi mes teatrove shqiptarë. “Ky memorandum është hartuar mes tre institucioneve, si Teatri Kombëtar i Tiranës, i Shkupit dhe atij të Prishtinës, që kanë në themel të aktivitetit të tyre promovimin, ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kombëtare përmes teatrit”, - thotë drejtori i TK-së.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›