E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kapitalizmi i ri”



Sarkozi do të kërkojë zgjidhje për çështjet urgjente për zhvillimin e ekonomisë dhe për tregjet financiare. Të ftuar në Paris janë edhe Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel dhe ish-kryeministri britanik, Toni Bler.

Fillimisht fjala ishte për një “samit ndërkombëtar”, por pastaj takimit të laureatëve të çmimit “Nobel” dhe kryetarëve të qeverive të thirrur nga Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, iu vu emri "Kolokium".

Sarkozi ende aktiv

Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, di t´i përveshë mëngët verbalisht. Nëntorin e kaluar, në kulmin e krizës bankare, ai e mori fjalën së bashku me ish-kryeministrin britanik Toni Bler dhe u ankua për kohën e gjatë që do të kalonte deri në marrjen e detyrës nga Presidenti i ri i SHBA-ve. Atëherë, i sapokthyer nga konferenca e krizës e G20-s në Uashington, Sarkozi pati ftuar në një samit tjetër, sigurisht në Paris, derisa më vonë të mund të zhvillohej takimi me Barak Obamën. Motoja e Sarkozisë që prej fillimit të krizës ishte: "Vetërregullimi, për të zgjidhur të gjitha problemet, ka kaluar. Edhe laisser-faire. Tregut të gjithëpushtetshëm, që ka gjithnjë të drejtë – edhe atij i ka kaluar koha. Ne i kemi shpëtuar për një fije floku katastrofës".

Transformim i kapitalizmit botëror

Në Paris duhet zbuluar kapitalizmi i ri, sipas Sarkozisë. Kur ai ishte akoma Presidenti i radhës i BE-së, këtë punë duhej ta kryente BE-ja apo bile grupi i euros. Sarkozi mendon se Evropa duhet të zhvillojë idenë e transformimit të kapitalizmit botëror. "Ajo që ka ndodhur, është tradhti e vlerave të kapitalizmit. Nuk ka qenë vënie në pikëpyetje e ekonomisë së tregut".

Por ideja fillestare e Sarkozisë për konferencën ishte më globale, prandaj krahas Toni Blerit, në një program tani më të reduktuar, vjen edhe Anxhela Merkel, shefi i Bankës Qendrore të euros Zhan-Klod Trishe, Presidentja e Liberisë, pesë ministra nga e gjithë bota dhe tre laureatë të çmimit “Nobel” për ekonominë. Në fakt, Sarkozi do të dëshironte të kishte më shumë personalitete. Dëshira e tij gjatë krizës bankare ishte që: “Fuqitë e mëdha sot dhe fuqitë e mëdha të së nesërmes duhet të bashkohen për të mbajtur së bashku përgjegjësinë që ua jep pesha e tyre”.

Të enjten dhe të premten (08.01-09.01) në Paris duhej vrarë mendja për tri çështje: Për vlerat e kapitalizmit të ri, për rregullimin e tij dhe për çështjen se si përputhen globalizimi dhe drejtësia sociale. Kancelaren gjermane, Anxhela Merkel, do ta informojnë më vonë, sepse ajo do të qëndrojë deri në fjalën e hapjes, pastaj shkon tek Presidenti Sarkozi në pallatin “Elize” për bisedime dhe për një bisedë pune kokë më kokë.

Marrëdhënia gjermano-franceze në prizmin e krizës botërore

Aty do të diskutohen, siç duket, përsëri temat e vjetra nga gjysma e dytë e vitit të kaluar. “Franca vepron, ndërsa Gjermania akoma mendon”, - kishte thënë Sarkozi pas vizitës së fundit të Merkelit në Paris dhe as kësaj radhe nuk do të jetë më mirë. Presidenti centralist e lavdëron veten vazhdimisht për paketën e tij koniunkturore, ndërsa shtypi francez ditët e fundit ka informuar hollësisht për ecejaket në debatin e Berlinit për uljen e taksave. Pavarësisht se çfarë thonë të dy politikanët në konferencën e tyre të fundit për shtyp,

Sarkozi mbetet tek ajo që ka pohuar pas samitit të BE-së në tetor: “A na duhet në krizën ekonomike i njëjti koordinim si në krizën bankare? Nga këndvështrimi i presidencës franceze përgjigja është katër herë po! Kështu! Dhe a jemi te të gjithë të këtij mendimi? Jo, Jo, Jo”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›