E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitjet me maska tronditin kryeqytetin, vritet Petrit Pjetri



Dy persona të armatosur tentuan grabitjen e kompleksit “Llanaj”

Identifikohet një nga autorët, në kërkim bashkëpunëtori

Maskat tronditin kryeqytetin dhe rrethinat e tij. Banorët kryeqytetas, por edhe ata që jetojnë rreth tij, ndihen të pasigurt pas disa ngjarjeve që kanë ndodhur në 24 orët e fundit. Grabitja e orëve të mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme ka shënuar edhe viktima, ndërkohë që ajo e ndodhur në Laknas ka pasur vetëm dëme ekonomike. Ngjarja e parë e rëndë ka ndodhur në Unazën e Re në kryeqytet. Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në kompleksin “Llanaj” për të grabitur, por janë pikasur në kohë nga pronari i kompleksit, i cili një kat të ndërtesës e shfrytëzonte për banim. Pas përleshjes me njërin nga grabitësit e maskuar, pronari Feim Llanaj ka qëlluar me pistoletë mbi të, duke e plagosur rëndë dhe që pas disa minutash, rrugës për në spital, i riu me maskën në fytyrë ka humbur jetën. Policia ka shoqëruar për në komisariat pronarin e kompleksit për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që vetëm pasditen e djeshme ka mundur të identifikojë grabitësin e vrarë. Bëhet fjalë për 28-vjeçarin, Petrit Pjetri nga Puka dhe banor prej disa vitesh disa metra larg kompleksit “Llanaj”. Policia është duke punuar për të identifikuar autorin e dytë të grabitjes, personin që kishte në pronësi edhe pistoletën me të cilën u krye krimi.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme, përkatësisht rreth orës 02:30, kur dy persona të maskuar kanë hyrë në ambientet e ndërtesës 5-katëshe të kompleksit “Llanaj” në Unazën e Re. Sipas policisë së kryeqytetit, bilanci i kësaj grabitjeje ka shënuar edhe një viktimë, i cili është ekzekutuar nga pronari i kompleksit, Feim Llanaj. Njëri prej grabitësve ka mundur të largohet në kohë nga banesa, pasi është konstatuar nga pronari i kompleksit, ndërsa tjetri mësohet të jetë përleshur me këtë të fundit, duke mbetur i plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë rrugës për në Spitalin Ushtarak. Policia, e cila ishte njoftuar për grabitjen nga pronari i kompleksit, ka mbërritur në ndërtesë, por kur ishte shënuar një viktimë, 28-vjeçari Petrit Pjetri, me origjinë nga Puka. Ekspertët e mjekësisë ligjore dhe ata të kriminalistikës mbërritën në vendngjarje për të sqaruar shkencërisht ngjarjen e djeshme. Viktima është identifikuar në orët e pasdites së djeshme, ndërkohë që policia vijoi për disa orë duke marrë në pyetje shtetasin Feim Llanaj. Gjatë shpjegimeve të tij para oficerëve të policisë gjyqësore, Llanaj ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, ndërkohë që ekspertët janë duke shqyrtuar provat e fiksuara për të dhënë ndihmën e tyre në sqarimin e plotë të ngjarjes. Policia e kryeqytetit është duke punuar për kapjen e bashkëpunëtorit të Pjetrit, i cili mundi të largohej pas përplasjes së parë me pronarin e servisit të makinave.

Dëshmia

Pronari i kompleksit “Llanaj” në Tiranë ka qëlluar për vdekje me pistoletë njërin nga dy personat me maskë, të cilët pak pas mesnatës së të premtes kishin hyrë për të grabitur në pronën e tij private. Sipas dëshmisë së tij, dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore pas shoqërimit në komisariat, dy grabitësit kishin hyrë me maska për të vjedhur në godinën 5-katëshe, pronë e Feim Llanajt. Godina ndodhet në rrugën “Teodor Keko” pranë Unazës së Re në Tiranë. “Isha duke fjetur kur kam dëgjuar zhurmë. Zbrita poshtë. Në fillim jam përplasur me njërin prej grabitësve, të cilin e kam shtyrë dhe ka rënë. Atij i ra arma dhe iku me vrap. U ngjita lart për tek zyra në katin e 2-të. Pashë se dera ishte shqyer. Vazhdova të kontrolloja dhe aty jam përballur me grabitësin tjetër me maskë. Ai më shau dhe m’u sul me levë të më godiste, ndërkohë mbaj mend që e kam shkrehur pistoletën. Ne atë moment erdhi policia që e kisha njoftuar me telefon dhe e kanë marrë e dërguar në spital të plagosurin, ndërsa mua më kanë sjellë në komisariat”, - ka rrëfyer biznesmeni Llanaj në ambientet e policisë versionin e tij të ngjarjes. Sipas pretendimeve të biznesmenit, viktimat kishin si qëllim grabitjen dhe se ai kishte qëlluar për t'u vetëmbrojtur. Kompleksi “Llanaj” ndodhet në rrugën "Teodor Keko” pranë Unazës së Re në kryeqytet dhe përbëhej nga një godinë 5-katëshe. Në këtë kompleks ishte në funksion një servis makinash, një servis gomash, një parukeri dhe shtëpia e banimit e familjes se biznesmenit Feim Llanaj.

Detaje

2 kanë qenë personat me maska dhe të armatosur që hynë në kompleksin “Llanaj” për të grabitur

2 e 30 ka qenë ora kur ka ndodhur ngjarja në Unazën e Re, ku mbeti i vrarë Petrit Pjetri

28 vjeç ishte njëri nga autorët e grabitjes me maska në godinën 5-katëshe të shtetasit Feim Llanaj

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›