E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallen në kërkim 3 hajdutë varresh dhe kishash

Vetëm pak ditë më parë vodhën 27 ikona, kërkohen edhe për dhunimin e varreve të vëllezërve Topulli, Çajupit dhe Pandeli Sotirit.

Gjirokastër-Një bandë hajdutësh kishash dhe varresh janë shpallur në kërkim dje nga policia e Gjirokastrës, pasi është konstatuar vjedhja prej tyre e 27 ikonave të kishës së Bulratit, ndërsa një prej tyre akuzohet për vjedhjen e varreve të Bajo e Çerçiz Topullit, Çajupit e Pandeli Sotirit.

Policia e Gjirokastrës ka shpallur në kërkim tre persona, të cilët dyshohet se janë autorë të dhunimit dhe vjedhjes së kishave në zonën e minoritetit grek. Madje, njëri prej tyre ndiqej penalisht në gjendje të lirë edhe si autor i grabitjes dhe dhunimit të memorialit të Rilindësve në Gjirokastër dhe varrezave të fshatit Bularat.

Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, specialistët e Seksionit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, kanë shpallur në kërkim policor Niko Cokajn 36 vjeç, lindur dhe banues në Skrapar dhe dy persona nga Libohova të dyshuar për vjedhjen në bashkëpunim të 27 ikonave me moshë 200-vjeçare në kishën e fshatit Bularat. Vjedhja ka ndodhur në fundjavë, në kishën e Shën Thanasit, në fshatin minoritar të Bularatit. Kjo kishë gjatë 3 viteve të fundit është grabitur disa herë me gjithë ndëshkimin ligjor të autorëve të këtyre vjedhjeve. Kanë qenë kujdestarët e kishës, të cilët në mëngjes kanë konstatuar vjedhjen e radhës së të kësaj kishe. Ata pasi kanë çelur derën e objektit të kultit, kanë konstatuar dhunimin e kishës dhe grabitjen e ikonave. “Në mëngjes, unë shkova për të hapur kishën që ndodhet në varrezat e fshatit, por pashë që dera kryesore e saj ishte e shqyer, ndërkohë që ishin hequr edhe hekurat e dritares”, - thotë kujdestari i kishës së Bularatit.

Pasi ka mbërritur në vendngjarje, policia ka konstatuar se në ambientet e brendshme të kishës ishin vjedhur 27 ikonat e ikonostasit, ndërkohë që nuk ishte prekur kasaforta e lekëve të besimtarëve dhe sendet e tjera të kishës. “Grabitësit kanë shfrytëzuar orët e natës dhe pasi kanë prerë telat e furnizimit me energji elektrike të kishës, me një kazmë kanë shqyer hekurat e dritares për të hyrë më pas në mjediset e brendshme të këtij objekti kulti”, - thonë burime në grupin hetimor, duke ndërtuar skemën e kësaj grabitjeje. Sipas ekspertëve të antikrimit, pasi kanë marrë 27 ikonat me moshë gati 200-vjeçare të ikonostasit, grabitësit janë larguar nga dera kryesore e kishës. Gjatë hetimeve në lidhje me këtë grabitje policia arriti të identifikojë të tre autorët e dyshuar, dy prej të cilëve nga qyteti i Libohovës dhe një tjetër nga Skrapari, të cilat janë shpallur në kërkim policor. Madje njëri prej tyre, 36-vjeçari Niko Cokaj nga Skrapari, është një person i skeduar më parë nga policia e Gjirokastrës. Prej një muaji ai hetohej në gjendje të lirë si autor i dyshuar i dhunimit dhe grabitjes së varreve të patriotëve gjirokastritë Bajo dhe Çerçiz Topulli, Koto Hoxhi, A.Z.Çajupi dhe Pandeli Sotiri, pjesë e memorialit të Rilindësve në Gjirokastër. Gjithashtu, 36-vjeçari Cokaj dyshohet se përpara disa javësh ka grabitur në varrezat e fshatit Bularat materiale prej bronzi, për të përfituar financiarisht pas shitjes së tyre.

Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›