E Diel, 1 Nëntor 2026

Pritë në Shkodër, vritet 32-vjeçari

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Vritet për shkaqe dhe rrethana ende misterioze një 32-vjeçar në fshatin Mnelë të Shkodrës.Paulin Përgjini u vra me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, të cilët i kishin zënë pritë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:00, ndërsa viktima po lëvizte i vetëm në këmbë. Kur ai është ndodhur pak metra larg kishës së këtij fshati, autorët shtinë ndaj tij, duke e lënë të vdekur. Policia e sinjalizuar nga banorët e fshatit mbërriti në vend pas 15 minutash. Një grup hetimi nisi punën për këtë ngjarje, ndërsa u shoqëruan disa të rinj të dyshuar se mund të kishin dijeni. Në sajë të hetimeve paraprake, burime të policisë bënë të ditur se 32–vjeçari është qëlluar disa herë me armë zjarri nga dy persona të cilët dyshohet se ishin të maskuar. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Mali i Rrëzuar”, në rrugën poshtë kishës, kur Përgjini u qëllua për vdekje. Viktima është hedhur më pas poshtë rrugës në disa ferra, ku ai u gjet edhe i pajetë. Sipas policisë, Përgjini ishte qëlluar me disa plumba, tetë prej të cilëve i kishin prekur kokën. Policia për disa orë bëri këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke dashur të administrojë çdo detaj, që më pas mund të ndihmojnë në mbarëvajtjen e hetimeve dhe zbardhjen e kësaj vrasjeje. Në vend u gjetën disa gëzhoja, të cilat do t’i kalojnë laboratorit të kriminalistikës për veprimet hetimore. Deri në orët e vona të darkës, blutë nuk arritën të bien në gjurmët e autorëve. Hetimi i kësaj vrasjeje duket i komplikuar për shkak se nga hetimet paraprake ka rezultuar se viktima nuk kishte probleme hasmërie. Gjithashtu, ai nuk ka pasur ndonjë konflikt të ditur nga të tjerët. Dyshohet se personat që kryen vrasjen ishin të mirinformuar për lëvizjet e viktimës. Sipas policisë, 32-vjeçari ishte divorcuar para disa kohësh. Ai jetonte sërish me familjen e tij, ndërsa nga martesa nuk kishte pasur fëmijë. Policia bëri të ditur se është duke hetuar në disa pista, por për efekt hetimi nuk i bëri të ditura. Deri në orët e darkës, në komisariatin e Shkodrës u shoqëruan 10 persona. Policia e Shkodrës konfirmoi mbrëmë se është duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj vrasjeje, që tronditi dje fshatin Mnelë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›