E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritë neurologut, qëllohet nga një “mik”

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Qëllohet me thikë nga një person i paidentifikuar ende nga policia neurologu i njohur i qytetit, Kosta Koçi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesditës së djeshme, në mes të qytetit të Vlorës, duke krijuar panik te dëshmitarët e rastit. Koçi, 65 vjeç ka përfunduar në spitalin kirurgjik të Vlorës, në gjendje kritike për jetën, ndërsa policia është në kërkim të atentatorit të larguar bashkë me armën e krimit. Burime nga spitali pohojnë se mjeku kishte marrë disa goditje të thella me thikë, në qafë, në fytyrë, nëpër trup e duar. Mjeku neurolog prej dy vitesh kishte dalë në pension dhe së fundi ishte punësuar në një klinikë private. Ndërsa ka dalë nga shtëpia për të shkuar në klinikë ku dhe punonte, në lagjen “Hajro Çakërri”, shumë pranë poliklinikës së qytetit ai gjatë rrugës ka marrë një telefon nga një kliente e përhershme e tij 45-vjeçare. Ajo ka dëshmuar për policinë se po e priste disa metra larg klinikës. Sapo është drejtuar për te klientja, mjekut i ka dalë para një person, mbi 30 vjeç. Ai i ka dhënë dorën dhe më pas të dy janë përqafuar, si dy të njohur. Por, papritur, me njërën dorë autori e ka mbajtur të shtrënguar mjekun e me tjetrën ka nxjerrë një thikë nga xhepi, duke e qëlluar disa herë. Mjeku është munduar të reagojë, duke u përleshur me atentatorin, përpjekje të cilat i shkaktuan plagë të tjerë dhe nëpër duar. Pasi e ka lënë të gjakosur, agresori është larguar në drejtim të kinoteatrit “Petro Marko” e më pas është futur në rrugicat e lagjes. Ndërsa Kosta Koçi ka rënë në shesh, kolegë të tij që kanë parë skenën kanë dalë shumë shpejt nga poliklinika duke i dhënë ndihmën e shpejtë. Atë e kanë çuar menjëherë në spitalin rajonal, ku është futur menjëherë në sallë për ndërhyrje kirurgjikale. Mjekët thanë mbrëmë se gjendja është e rëndë, ndonëse atij i është dhënë gjak, për të përballuar sasinë e humbur nga plagët. Për ngjarjen është angazhuar dhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka qenë e gatshme për të dhënë gjithë ndihmën e nevojshme, madje duke vënë një helikopter në dispozicion për transportimin e tij drejt Spitalit Ushtarak. Por, gjendja aktuale e neurologut nuk e përballon dot lëvizjen, duke bërë që të mbahet nën vëzhgim nga mjekët e Vlorës.
Policia ka mbërritur në vendngjarje duke kryer hetimet, me qëllim mbledhjen e gjurmëve që të çojnë drejt autorit të plagosjes së rëndë. Aty janë evidentuar edhe dëshmitarët që kanë parë ngjarjen, të cilët janë pyetur deri në orët e vona, për të dhënë deklarimin e tyre mbi agresorin. Aktualisht nuk ka një pistë konkrete nga ana e policisë për shkaqet që e shtynë autorin drejt ngjarjes, por gjithçka hetuesit po e lidhin me profesionin. Sipas tyre, autori mund të ketë qenë dhe klienti i mjekut Koçi, nisur nga fakti se ai është takuar dhe përqafuar si të njohur mes tyre. Të afërmit e mjekut shprehen se ne nuk i kanë borxh askujt dhe as sherre që të mendonin se do t’i ndodhte kjo njeriut të tyre. Ndonëse të tronditur nga ngjarja ata thonë se nuk dinë ndonjë konflikt të mjekut me ndonjë person. Mjeku Kosta Koçi njihet si mjek i aftë dhe respektohet nga kolegët, si dhe nga qytetarët e Vlorës për shkak të reputacionit që ka në qytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›