E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti në muze, 20-vjeçari: S’e dija se pushka funksiononte

 

VLORE - Incidenti me shkrehjen në mënyrë të pavullnetshme të njërës nga pushkët që ndodhen në Muzeun Historik në Vlorë mbetet mister. Drejtuesit e muzeut ngrenë supet, ndërsa nuk vonuan ta “arnojnë” menjëherë pjesën e shembur të murit. Policia bën të ditur se ka nisur hetimet, por sipas saj, ka dyshime vetëm për një shashkë. Ndryshe nga policia dhe drejtuesit e muzeut, rrëfejnë dëshmitarët e kësaj ngjarjeje. Madje, personi që iu shkreh arma në dorë rrëfen gjithçka ka ndodhur ditën e trashëgimisë kulturore në muzeun e Vlorës. Një djalë 20-vjeçar, i cili nuk dëshiron të identifikohet, tregoi se ai kishte qëlluar me dorën e tij, por për fat të mirë, tyta e pushkës ishte në drejtim të tavanit, çka u evitua ndonjë tragjedi e mundshme. Sipas tij, pasi është futur në muze, kishte preferuar për të vizituar pjesën e armëve. “U afrova tek pjesa e armëve. Nuk kishte asnjeri që të na orientonte apo të na tregonte për secilën prej tyre. Mora në dorë pushkën, që dukej shumë e vjetër. Nuk më shkoi mendja se ajo mund të ishte funksionale dhe aq më tepër brenda saj të kishte plumb. Pasi e mora në dorë, e drejtova nga tavani dhe tërhoqa këmbëzën. As vetë nuk e kuptova se si, por dëgjova krismë. Arma ishte funksionale dhe shtiu. Për fat të mirë, tyta e pushkës nuk qe në drejtim të njerëzve. Kishte shumë nxënës shkollash përreth, të cilët u trembën jashtë mase”, rrëfeu djali i cili shkaktoi paraditen e së hënës panik në muzeun e Vlorës. Burime të policisë bënë të ditur se nga deklarimet e punonjësve të muzeut, është dëgjuar zhurmë e ngjashme me krismë. Por nuk dihet nëse kjo ka qenë shashkë e ndezur jashtë, apo shkrehja e armës. Përgjegjësi i muzeut ngriti supet dje duke pohuar se ai nuk kishte dëgjuar krismë, pasi nuk kishte qenë në atë moment tek pjesa e armëve. Sipas punonjësve, armët në muze normalisht nuk duhet të jenë funksionale. Pjesa e shembur e murit ishte sabotuar dje, ndërsa policia tha se po kryen hetimet e nevojshme.                      q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›