E Shtunë, 31 Tetor 2026

Priten edhe sfilata tjera

Valdrin Sahiti ka mbajtur sfilatën vjeshtë-dimër në të cilën kanë performuar modelet më të njohura kosovarë. Sahiti e konsideron këtë sfilatë të suksesshme. Nga Ardian Jasiqi më 23 dhjetor 2010 në ora 12:11

Është larguar pak nga Prishtina, por jo edhe larg. Ka vendosur që sfilatën e tij të radhës ta mbaj në Lipjan , por kjo nuk ka ndikuar që në sfilatë të marrin pjesë një numër i madh i modeleve kosovare, por edhe këngëtarëve të estradës të cilat zakonisht veshin fustanet që i dizajnon ai.

Në “Comfort Center”, Valdrin Sahiti mbajti sfilatën e radhës dhe në këtë sfilatë, pavarësisht ditëve të punës, kishin gjetur kohë që të shkojnë edhe këngëtarët, Leonora Jakupi, Jehona Sopi, Vesa Luma, Mimoza Mustafa, Nora Istrefi dhe disa personalitete të tjera të estradës dhe modës kosovare.
Dallimi ishte se në sfilatën e Valdrinit, këto këngëtare nuk sfiluan, ashtu sikurse kishte bërë Nora Istrefi vite më parë, por morën pjesë vetëm si mysafire në të.

Për këtë Valdrini thotë se ndihet mirë.

“Ku ka ma mirë. Të them të drejtën, çka kam prit dhe çka kam aranzhuar edhe ka dalë. Unë nuk kam pas vërejtje teknike. Organizimi ka shkuar sipas agjendës, pra ashtu sikurse e kam parashikuar, duke filluar nga hyrja, aranzhimi, madje edhe disa njerëz që nuk i kam prit, kanë gjet kohë për të ardhur”, ka thënë Valdrini për Express Rozë.

Sipas tij, interesimi ishte i madh pasi që në këtë manifestim kanë ardhur edhe njerëzit që ai nuk ka prit të vinë për shkak se dihet agjenda e tyre është shumë e zënë.

“Pra aty ishte Leonora, Jehona, etj – këngëtare që janë shumë të zënë me xhirime të Vitit të Ri por kanë gjetur kohë dhe me kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre”, ka thënë ai.

Por, cili ishte stili që e paraqiti ai në këtë sfilatë?

“Është një sfilatë për modën vjeshtë-dimër. Ndërkaq në shumicën e teshave ka dominuar ngjyra e zezë, e ideuar dhe e konceptuar në konceptin Gjigand”, thotë dizajneri.

Të gjitha këto veshje të cilat janë prezantuar në këtë sfilatë do të jenë në atelienë personale të Sahitit dhe ato vajza apo djem që dëshirojnë ti kenë ato mund ti porositin tek ai.

Nga ana tjetër, Sahiti ka folur edhe për modelët dhe modelet që i ka zbuluar gjatë një emisioni të TV 21, për të cilat thotë se ka pasur shumë të këtillë, por edhe për kohën që ja merr ky emision.

“Nuk me ka marrë shumë kohë kjo punë sepse kam shkuar dhe kam xhiruar për rreth dy orë dhe mandej jam kthyer. Tani ka mbetur finalja dhe mund të them më shumë ka qenë kënaqësi që kam punuar aty sepse kam zbuluar edhe talent të rinj”, ka thënë ai.

Madje, Sahiti thotë se përpos Liberta Spahiut, Besa Gashit dhe Saranda Shalës, shumica e modeleve janë marrë nga ky emision.

“Patjetër që janë zbuluar talente të rinj sepse ka pasur shumë meshkuj dhe femra të cilët kanë promovuar trupat e tyre dhe ky emision ju ka mundësuar atyre që të dalin në publik dhe për këtë kanë përfituar”, ka thënë në fund kreatori, Valdrin Sahiti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›