Efektet e fuqise dhe te suksesit
“Mendimi im, bindja ime,
fiton më shumë fuqi dhe sukses,
në çastin që një mendje e dytë e përshtat atë.”
Davide G. Myers, 2009
Mendimi im shpesh është edhe bindja ime, e cila e zotëron fuqinë sa kohë unë e shpreh qartë këtë mendim, çka thotë vetëdijshëm se do të shpalosë mirë e bukur bindjen e gjerë, do ta përcjellë atë si duhet dhe kjo sigurisht që fiton shumë fuqi dhe ka më tepër sukses. Pastaj, pas mendimit tonë të qartë dhe bindjes sonë të kthjellët, vjen përshtatja e të tjerëve, bindja e tyre dhe këtu fillon “loja” e bukur e përshtatshmërisë, sepse kjo mendje e dytë thjesht ka përshtatur bindjen time, duke e bërë atë të sajën.
Kur shohim dikë tjetër që nuk pranon të bashkohet me valën – edhe kur ai e ka gabim – ashtu qetë-qetë na bën që të rritim pavarësinë tonë. Merrni me mend që ta lejojmë një individ për të vërejtur me kujdes një njeri të vetmuar në një grup prej katër vetash. Dhe më tej akoma: ky individ vë re se njeriu i vetmuar e ka gabim vendosjen e tij kundër tre të tjerëve, por nuk mund të pretendosh as për t’i dhënë mendje dhe as për ta këshilluar se si të veprojë. Vështrojeni këtë gjë në një diskutim në studio televizive me tematikë të çfarëdoshme dhe do të këqyrni se ka kundërshtime “për modë”, “për ndikim”, “për etikë”, “për papërputhshmëri idesh” etj. Megjithatë ne vëmë re se fryma e pritshme e fuqisë dhe suksesit cenohet, ndonëse efekti i pavarësisë rritet. A mund të diskutojnë kundër Dik Martit të gjithë njësoj, për më tepër që nuk ka argumente dhe mungojnë situatat njohëse e dokumentare? Jo. Do të ketë edhe mendime të lëkundura, do të ketë opinionistë që shprehen gati pro Dik Martit, sepse as këta nuk zotërojnë dokumente e materiale që të jenë plotësisht të bindur kundër ideve (alias shpifjeve) të atij politikani. Pse, a nuk ndodhi kështu në opinionet për Skënderbeun? Dhe mendoni, diskutohet për një gjë ku secili mund ta shprehë bindjen e tij menjëherë e pa u menduar shumë.
Por le të kthehemi tek individi që vërente tjetrin e veçuar nga katërshja. Të themi se ky njeri zotëron formën e tij të pavarësisë. Duke parë këtë model, ta quajmë të guximit, atëherë mund të themi se 75% e grupit ishte përshtatur me idenë që ai mbrohej në atë rast. Individi vuri re se ata të tre kishin një lloj tërheqjeje ndaj njëri-tjetrit, prandaj dhe ky grup mund të quhet i kohezuar. Merrni me mend gjithashtu që një pjesëtar i grupit shpalos bindjet e tij për një problem ekonomik (leverdia e madhe e hidrocentraleve të vegjël) dhe fjala e tij na bind më lehtë se sa po të vinte dikush, i panjohur, nga një grup tjetër, apo qoftë edhe një koncesionar i këtyre hidrocentraleve, domethënë një opinion i dikujt që qëndron jashtë grupit tonë, me të cilin jemi identifikuar; ky edhe ndikon më pak te ne. Kështu, sa më i kohezuar është një grup, më shumë kontroll fiton ai mbi pjesëtarët. Në këtë rast, pjesëtarët e grupeve që ndihen të tërhequr prej tij, i përgjigjen më tepër ndikimit. Ata nuk pëlqejnë të debatojnë me anëtarë të tjerë të grupit. Filozofi i shekullit XVII, Xhon Loke, shkruante: “Nuk gjen një njeri në një mijë vetë që mund të jetë kaq i pështirë dhe i pandjeshëm sa të tërheqë mbi vete mospëlqimin dhe dënimin e klubit të tij”.
Pra, është e vështirë të qëndrosh i vetëm në pakicë. Por, duke bërë këtë shpesh edhe ndihesh hero, ashtu si juristi i vetëm i interpretuar nga Henri Fonda në filmin klasik, “Dymbëdhjetë burra të egërsuar”. Ne duhet të mbajmë parasysh faktin se njerëzit me status më të lartë kanë prirje për të pasur përplasje më të madhe. Disa herë njerëzit mund të shmangin puqjen e mendimeve me njerëz të statusit të ulët ose të stigmatizuar. Natyrisht që kjo ide ka të bëjë shumë me raportet e bindjes, të përshtatshmërisë dhe të pavarësisë së mendimit. “Unë nuk do të votoja për ju, zotëri, sepse nuk ma mbushët dot mendjen se keni të drejtë. Po të ishte ky – dhe drejton dorën nga një person pranë vetes – ndryshon puna”. Njeriu aty pranë ishte miku i tij dhe, duke kaluar pasditet bashkë, ai zotëronte ndikim tek individi ynë. Kur secili identifikohet kështu, mund të themi se është pozitive, sepse për të thithur votat e duhura e të nevojshme, mund të mbështetemi fort te grupi dhe te njeriu që ndikon më tepër te grupi. Ndërkaq është i njohur konkluzioni mbi bindjen se njerëzit me status të ulët i pranojnë më lehtë urdhrat dhe bindjen e të tjerëve me status më të lartë. Një nga problemet e mprehta janë përgjigjet publike, ose në publik, për secilën nga çështjet që shtrohen. A do të përshtateshin më tepër njerëzit me përgjigjet e tyre publike apo me ato private? Apo do të bindeshin më tepër në opinionet private, por mungesa e dëshirës për t’u përshtatur publikisht do t’i bënte të dukeshin pa karakter? Tani përgjigjja është e qartë: Në politikë dhe në formimin e bindjeve të kthjellëta, njerëzit përshtaten më tepër kur jepen përgjigje publike para njerëzve në krahasim me rastin kur përgjigjen privatisht. Sepse çdo subjekt, pasi dëgjon përgjigjet e tjera, ndikohet më pak nga trysnia e grupit. “Nëse mërziteni se keni humbur anijen – kujtoni Titanikun.” Kjo thënie e urtë anonime ka ardhur deri te ne si postulat i vonuar, që bindja nuk kërkon prova të mëdha, mjafton të jesh i qartë në atë që thua, të kesh forcë ndikuese dhe natyrisht pak... durim. Por para trysnisë së grupit, a do të tërhiqeshit nga vendimi që ju merrni privatisht pas bindjes që formuat? Njerëzit gati nuk e bëjnë kurrë këtë: Pasi kanë marrë një angazhim publik, ata i qëndrojnë besnik atij. Maksimumi, ata mund të ndryshojnë gjykimin e tyre në situata të mëvonshme. Mirëpo, sikur të shihnim postulatin e Xhubertit (Mendime) se ata që nuk ndryshojnë kurrë opinionin e tyre duan më shumë veten se të vërtetën, atëherë, angazhimi jo prioritar e kufizon bindjen. Kështu, kur juritë e simuluara marrin vendime dhe këto janë të varura, atëherë gjykuesit zgjedhin “me të ngritur dore” dhe jo “me votim sekret”. Kur kryejnë një angazhim publik, njerëzit hezitojnë për t’u kthyer mbrapsht. Bindësit e zgjuar e dinë këtë. Por edhe politikanët e hollë gjithashtu. Angazhimi publik mund të reduktojë efektin “fuqi” dhe “sukses” jo vetëm sepse njerëzit pranojnë më lehtë pasi marrin një angazhim, por edhe sepse ata urrejnë që të duken të pavendosur. Të krahasuar me njerëzit që kanë qëndrime të forta, ata që ndryshojnë qëndrimet janë më pak të besueshëm. Këta janë njerëzit që habiten më tepër, që valëzojnë si deti, që vazhdimisht llomotitin nëpër kafene dhe ndërrojnë fletën si era... Dhe kërbunjen nga kjo punë e fëlliqësht që kryekreje.