Ndryshimet të qeveri, ide ende në letër
Kryeministri Sali Berisha foli ditën e djeshme edhe në lidhje me ndryshimet në kabinetin e tij qeveritar. Ai u shpreh se do të përfshihen në qeveri aleatët republikanë si dhe do të ketë një emër të ri për zëvendëskryeministër, por që më tej nuk do të shkohet. Kërkesat e vazhdueshme për ndryshime në qeveri duket se për momentin do të kënaqen me këto dy lëvizje, të cilat ende nuk janë konkretizuar nga Berisha. “Posti i zëvendëskryeministrit do të plotësohet. Partia Republikane është parti e koalicionit. Ajo ka marrë vendim të përfaqësohet në qeveri dhe do të përfaqësohet në qeveri”, - tha Berisha. Kryeministri foli edhe për problemet e brendshme të partisë Demokristianë që sipas tij janë probleme të tyret. “Unë nuk mund të hyj në asnjë rast në punët e brendshme të asnjë partie politike. Unë jam Kryeministër nuk kam të bëj me problemet e brendshme të partive aleate dhe jo aleate. Kjo nuk më takon”, - tha Berisha. I pyetur nga media në lidhje me pranimin ose jo të kërkesës së Këshillit Kombëtar të PDK-së për zëvendësimin e dy zëvendësministrave të PDK-së në qeveri, Berisha u shpreh: ”Kryeministri funksionon mbi bazën e marrëveshjeve, mbi bazën e dokumenteve dhe jo mbi bazën e apeleve televizive. Imagjinoni nëse unë do të funksionoja mbi bazën e apeleve televizive do të kisha dhënë dorëheqjen mbi 50 herë”.
7 Maj 2008