E Shtunë, 31 Tetor 2026

Priteni Parisin

Përforcimi më i madh i PSG-së, Zlatan Ibrahimoviç beson se skuadra e tij e re do të zhvillohet ditë pas dite dhe menjëherë do të jetë në gjendje të luftojë për tituj të rëndësishëm në Francë por edhe në Evropë. Edhe ish futbollisti i PSG-së, Ronaldinho është i lumtur me transformimin e klubit dhe është optimist se ata do të jenë konkurrent serioz për tituj.

Zlatan Ibrahimoviç beson se Paris Saint-Germain mund të bëjë ndikim të menjëhershëm në Ligue 1 por edhe Ligën e Kampionëve. Kurse, edhe ish ylli i skuadrës, Ronaldinho shpreson që klubi nga kryeqyteti francez të jetë i suksesshëm në edicionin e ri të garave, pas investimeve të mëdha që ka bërë gjatë këtij afati kalimtar të verës.

PSG nuk arriti më tepër se një barazim 2-2 me Lorientin në xhiron e parë të Ligue 1 javën e shkuar ku Ibrahimoviç, futbollisti më i paguar në histori të futbollit francez me pagë prej 14 milionë eurosh në vit shënoi të dy golat.

Por, sulmuesi suedez është optimist se skuadra shumë shpejt do të përmirësohet dhe me ndihmën e trajnerit me përvojë Carlo Ancelotti, dhe përforcimeve të tjera të mëdha të angazhuara gjatë kësaj vere, do të luftojnë për titujt më të rëndësishëm.

“Parisi nuk do të zhvillohet sezon pas sezoni por ditë pas dite”, deklaroi Ibrahimoviç për të përditshmen sportive franceze L’Equipe. “Kishte dyshime kur filluan bisedimet. Por, më pas u bë e qartë se PSG do të jetë skuadër e madhe e për mua qysh tani është e tillë. Ky klub ka ëndrra të mëdha dhe do ti realizojmë ato”, u shpreh ish sulmuesi i Milanit.

Kurse, plejmejkeri brazilian Ronaldinho i cili ishte anëtar i PSG-së nga 2001 deri 2003 kur shënoi 17 gola në 55 ndeshje në ligë, ende konsiderohet si një prej futbollistëve më të mirë në histori të klubit. Ai fitoi çmimin e Futbollistit më të mirë të vitit në botë në Barcelonë, pas largimit nga Parc des Princes dhe ka thënë se do të përcjell me vëmendje ish skuadrën e tij.

“Është lajm shumë i mirë”, tha Ronaldinho i pyetur për transformimin e klubit pas investimeve nga pronarët e rinj nga Katari. “Tani ekipi përbëhet nga futbollistë të mëdhenj e po ashtu shok të mi si Thiago Silva dhe Ibrahimoviç me të cilët kam luajtur në Milan. Jam i lumtur për Parisin dhe shpresoj që ata të marrin shpërblimet duke fituar tituj të rëndësishëm”, u shpreh Ronaldinho, anëtar i Atletico Mineiros, për L’Equipe.

Përveç Ibrahimoviçit dhe mbrojtësit Thiago Silva – të dy këta të ardhur nga Milan – PSG gjatë këtij afati kalimtar të verës transferoi edhe sulmuesin Ezequiel Lavezzi nga Napoli, mesfushorin e talentuar Marco Verratti nga Pescara kurse ka arritur marrëveshje edhe me sulmuesin e Sao Paolos, Lucas, i cili do ti bashkohet klubit në janar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›