Suedia i ha fjalët

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) gjithnjë merr premtime të mëdha dhe tepër të mirëseardhura për vendin tonë nga federatat e futbollit të shteteve të ndryshme, por këto të fundit nuk po i mbajnë fjalët e dhëna.
Njëra nga to është Federata e Futbollit e Suedisë (FFS). Këta të fundit qysh më moti u kishin premtuar udhëheqësve të FFK-së se do t’ua japin si dhuratë gjithë infrastrukturën përcjellëse të stadiumit të ekipit kombëtar, ‘Rasunda’, porsa të tërhiqen nga kjo fole, për t’u shpërngulur në stadiumin e ri.
E një gjë të tillë, Kombëtarja e Suedisë e bëri të mërkurën mbrëma, kur me një ndeshje miqësore me Brazilin i tha lamtumirë këtij stadiumi të ndërtuar më 1937, por që mirëmbahej jashtëzakonisht mirë.
Suedezët i patën paralajmëruar krerët e FFK-së se do t’i ftojnë në miqësoren me Brazilin, për t’ua dorëzuar edhe zyrtarisht ‘Rasundan’. Por, kjo nuk ka ndodhur. Udhëheqësit e futbollit kosovar nuk ishin prezentë në tribunat e ‘Rasundas’, ngase nuk ishin ftuar fare nga homologët e tyre skandinavë.
E madje, në FFK kanë arritur disa informacione nga Suedia, kinse FFS-ja e ka ndryshuar mendjen dhe nuk dëshiron që ‘Rasundan’ ta ‘dërgojë’ në Kosovë, andaj edhe nuk u kishin bërë ftesë udhëheqësve të futbollit kosovar për këtë miqësore.
“Ai stadium i është premtuar Kosovës qysh në vitin 2008, kur Fadil Vokrri me bashkëpunëtorë e patën vizituar FFS-në. Kurse, kohë më parë, suedezët e kanë paralajmëruar Vokrrin se do të ftohet në miqësoren e tyre me Brazilin për t’ia dorëzuar solemnisht stadiumin, por kjo nuk ndodhi”, ka thënë një burim i besueshëm i Expressit brenda FFK-së.“Nuk ndodhi, ngase kemi informacione se suedezët kanë nisur ta luhatin mendjen për të na e dhënë atë stadium apo jo, dhe kryesisht për shkak të presioneve të ndryshme të Serbisë, siç jemi njoftuar”, shtoi ai.
Sipas këtij burimi, tani ka mbetur që Komiteti Ekzekutiv i FFS-së përfundimisht të vendosë për t’ia falur apo jo Kosovës atë stadium, çmontimi i të cilit do të bëhet prej 10 nëntorit deri më 10 dhjetor.
“Besojmë se shpejt do të vendosë Komiteti Ekzekutiv i FFS-së për të na e dhënë në tërësi stadiumin, apo pjesërisht, si për shembull vetëm karriget, për shembull pa ndriçim, ose pa zërim, a ku ta di unë. Fjalët kanë qenë për të na e dhënë komplet, por a do ta mbajnë premtimin, apo do të na e japin pjesërisht apo hiq, do të vendosë Komiteti Ekzekutiv i FFS-së”, theksoi ai.
Sipas tij, këto zhvillime, respektivisht veprime të suedezëve kanë krijuar zhgënjim të madh në FFK. Madje, ky burim theksoi se mospërmbushja eventuale e këtij premtimi nga ana e suedezëve mund t’i zbehë marrëdhëniet mes dy federatave.
37 mijë e 284 ulëse, e po ashtu edhe ulëset për persona VIP, komplet sistemi i dëgjimit, dhe ai i ndriçimit, me standarde të FIFA-s e UEFA-s, e gjithë rrethoja speciale për sigurinë e publikut, 30 metra tunel lëvizës, 12 kioska për shitjen e biletave të ndeshjeve, katër porta lëvizëse dhe të gjitha pajisjet për sallën e konferencave për media - ishin paralajmëruar nga suedezët se do të niseshin drejt Kosovës.
E gjitha këto, FFK-ja planifikonte t’i montonte në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’, me ç’rast në Mitrovicë pa problem do të mund të zhvilloheshin ndeshje ndërkombëtare. Por, a do të na e dërgojnë apo jo suedezët gjithë atë infrastrukturë, siç kanë premtuar, mbetet të shihet.