Shqipëri pa ide, zhgënjim total ndaj Moldavisë
Një Shqipëri pa ide dhe me probleme në organizimin e lojës nuk shkon më shumë se barazimi pa gola në miqësoren e mbrëmshme ndaj Moldavisë.
Premiera e Xhani de Biazit në një ndeshje shtëpiake tregoi edhe një herë tjetër se kuqezinjve u mungon fantazia në mesfushë. Edhe pse italiani eksperimentoi me futjen në lojë nga minuta e parë të Memushajt, sërish skuadra u duk e mefshtë, veçanërisht gjatë 45 minutave të para. Një tjetër provë që stonoi ishte ajo e dyshes së sulmit, Çani-Salihi. I pari nuk arriti të shfrytëzonte dy raste të pastra, ndërsa i dyti, me shumë kilometra udhëtim mbi shpinë, ishte larg asaj që pritet. Goli mbeti thjesht në tentativë përballë një kundërshtari modest si Moldavia. Kjo e fundit, duke parë që edhe Shqipëria ishte në një ditë të errët, guxoi në disa momente për të goditur portën kuqezi. Ajo që zhgënjeu më shumë në këtë miqësore ishte pa dyshim mënyra se si kuqezinjtë e kërkonin golin. Reparti i mesfushës, veçanërisht qendra e saj, çaloi jo pak. De Biazi u mundua të gjente alternativa të tjera për të arritur te goli, por as loja nga krahët në pjesën e dytë nuk solli ndonjë ndryshim të madh. Pjesa e parë – Me risinë e kalimit të Lilës në të majtë të mbrojtjes (De Biazi provoi këtë alternativë, pasi Agolli është i pezulluar për ndeshjen eliminatore ndaj Qipros), Memushajn në rolin e një fantazisti dhe aktivizimin për herë të parë në sulm të dyshes Salihi-Çani, Shqipëria e nisi ndeshjen me një rast të pastër për gol. Mirëpo, goditja e dobët e Çanit ishte thjesht një shkëndijë, pasi minutat e tjera treguan një Shqipëri që nuk funksiononte në mesfushë. Me Bulkun, jo në 100% të formës (nuk ka debutuar ende te ekipi i ri, Sepahan) dhe Memushajn që nuk arriti të orientohej në fushë, skuadra e kishte të vështirë të organizohej në sulm. Madje, Çani dhe Salihi detyroheshin të ktheheshin shumë pas për të kërkuar topin. Disa dalje të shpejta të Bakajt dhe Vilajt nga krahët ishin pak për kuqezinjtë. Deri në minutën e 35- të loja u bë shumë e mërzitshme. Një goditje e fuqishme e Bulkut dhe më pas një rast i humbur i Çanit sikur dha shpresa për një pjesë të dytë më të mirë se ajo e para. Pjesa e dytë – Loja rinis me tri ndryshime të menjëhershme te kuqezinjtë. De Biazi largon Ujkanin, Memushajn dhe Çanin, për të futur në lojë Berishën, Roshin dhe Bogdanin. Mesfushori dhe sulmuesi mundohen t’i japin gjallëri lojës. Megjithatë, duhet të kalonin 12 minuta nga fraksioni i dytë që të regjistrohej rasti më i rrezikshëm. Një kombinim tresh Roshi- Bulku-Bogdani sjell një goditje spektakolare të këtij të fundit, por këtë herë është portieri që grushton, duke i mohuar golin shënuesit më të mirë të Shqipërisë. Moldavia mundohet të mos lërë hapësira, në një kohë që kuqezinjtë e kanë të vështirë të qarkullojnë lirshëm topin. De Biazi e përqendron lojën nga krahët, teksa ndryshon skemën, duke i besuar vetëm Bogdanit në majë. Futja e Zeqirit dhe Agollit e bën më të rrjedhshme lojën, por përsëri goli mungon. Në fund, një rast i humbur nga mbrojtësi Mavraj konfirmon ditën “jo” të kuqezinjve.
De Biazi: Ishim dobët fizikisht, mesfushorët gabuan
Trajneri i Kombëtares shqiptare ka përdorur diplomacinë për të mbrojtur sadopak lojën e ngathët dhe pa fantazi të skuadrës së tij ndaj modestëve moldavë. “Ishte një ndeshje e vështirë, duke qenë se lojtarët nuk janë në formën e tyre më të mirë fizike. Patëm vështirësi në ndërtimin e lojës dhe kjo u pa qartë pasi repartet nuk po funksionon si duhet. Gjithsesi, duhet të mundohemi që të jemi në formë më të mirë pas disa javësh kur do të luajmë ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Qipros. E di që njerëzit mund të jenë mërzitur nga ndonjë lojtar që ka bërë gabime në fushë, i mërzitur jam edhe unë, por ai që ka punuar në sport, sikundër unë që më përpara kam bërë edhe futbollistin, e kupton më së miri gjendjen e lojtarëve, sidomos në kohën pas pushimeve të verës. Moldavët nuk ishin një skuadër më e mirë se ne, por duke qenë se tek ata kampionati ka filluar u pa qartë se ishin fizikisht më të gjallë në fushën e lojës. Ndoshta nëse kjo ndeshje do luhet pas dy-tri javësh ne mund ta fitojmë pa problem. Megjithatë, unë në këtë takim bëra disa eksperimente duke marrë përgjigjet që doja të dija si në mbrojtje, në mesfushë e sulm. Pashë dyshen Çani-Salihi në fillim dhe më pas Bogdani-Salihi, e tani e kam idenë e qartë për secilën. Ndoshta prisja më shumë nga mesfusha, pasi aty çaluam më shumë”, ka pohuar tekniku i Kombëtares.
Kundërshtarët/ Zvicra fiton falë Xhakës, Norvegjia mundet në shtëpi
Dje kanë zhvilluar takimet e tyre dhe kundërshtarët e Kombëtares sonë për kualifikimet e Botërorit 2014: Qipro, Norvegjia, Zvicra, Sllovenia dhe Islanda. Qipro, kundërshtari i parë i kuqezinjve, është mundur 1-0 nga Bullgaria në fushën e kësaj të fundit. Goli i vetëm u shënua nga Micanski në minutën e 66-të. Ndërsa Norvegjia u mund 2-3 në shtëpi nga Greqia. Hangeland (14′) dhe Rise (75′) shënuan për vendësit, ndërsa Torosidis (7′), Papadopoulos (11′) dhe Mitroglou (56′) për helenët. Fitore shënoi edhe Zvicra e pesë shqiptarëve, 2-4 ndaj Kroacisë. Madje goli i parë i avantazhit u shënua nga Granit Xhaka në minutën e 11-të. Më pas për helvetët shënuan edhe Barneta (37′) dhe Gavranoviç (52′, 80′). Për kroatët shënoi dopietë Eduardo (20′, 64′). Fitore me goleadë sigloi edhe Sllovenia 4-3 ndaj Rumanisë. Për sllovenët shënuan Sesar 4′, Dediç 51′, 60′, dhe Kirm 70′. Për rumunët shënuan Pap (56′), Torje (68′) dhe Grazav (79′). Sakaq edhe Islanda fitoi në miqësoren e mbrëmshme ndaj Ishujve Faroe 2-0 falë dopietës së Sigthorson (30′, 90′).
JORGIS MEMO