E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet finalizimi i vijës kufitare midis Kosovës dhe Maqedonisë

 

PRISHTINE- Procesi i përcaktimit të kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës pritet të përfundojë gjatë javëve të ardhshme.
Ky vlerësim është bërë sot në një takim të Komisionit të përbashkët teknik për shënimin e kufirit midis dy vendeve.
Në një komunikatë të përbashkët palët vlerësuan se shënimi i vijës kufitare është në përfundim e sipër dhe ky proces po zhvillohet në pajtueshmëri me planin e parashikuar.
Komisioni i përbashkët maqedonaso-kosovar, miratoi protokollin për vendosjen e shtyllave përgjatë vijës kufitare.
Në fazën e ardhshme ka ngelur shënimi i kufirit në sektorin e katërt që fillon në pikën e përbashkët të kufijve midis Maqedonisë, Serbisë dhe Kosovës dhe mbaron në perëndim deri në vendkalimin kufitar Bllacë.
Shënimi i vijës kufitare midis Kosovës dhe Maqedonisë filloi në fund të qershorit të këtij viti dhe bëhet sipas Marrëveshjes për shënim dhe shtrirje të kufirit shtetëror që Maqedonia në vitin 2001 e firmosi me ish-RF të Jugosllavisë dhe në pajtim me planin e ndërmjetësuesit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari.
Brezi kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës është me gjatësi të përgjithshme prej 150 kilometrave.
(a.r/ina/balkanweb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›