Pritet rritja e investime izraelite dhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve

Presidentin Nishani takohet me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu. Në fjalën e tij, Presidenti Nishani u shpreh se bazuar në frymën e një miqësie tradicionale dhe të fortë ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona dhe duke marrë parasysh mundësitë që ofron tashmë vendi ynë, ka ende shumë hapësirë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Kryeministri Netanyahu, pasi u dakordua me vlerësimin e Presidentit Nishani, vuri në dukje se Izraeli mund të jetë shumë i pranishëm me investime, veçanërisht në turizëm dhe bujqësi dhe theksoi se bashkëpunimi mes vendeve tona mund të shtrihet në ekonomi, kulturë, e deri në fushën e sigurisë. Në përgjigje të interesimit të bashkëbiseduesit të tij, Presidenti Nishani u shpreh se Ballkani ka hapur një kapitull të ri dhe mund të konsiderohet tashmë rajon i mundësive të mëdha dhe shtoi se shqiptarët, me tolerancën e mirëkuptimin e tyre, kanë dhënë një shembull të shkëlqyer për rajonin dhe më gjerë, si edhe kanë kontribuar në mënyrë domethënëse për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryeministri Netanyahu e vlerësoi situatën në Lindjen e Mesme dhe më gjerë si shumë të brishtë nga pikëpamja e sigurisë dhe stabilitetit, ndërsa çmoi lart qëndrimet e Shqipërisë për zhvillimet në këtë rajon. Në përgjigje, Kreu i Shtetit Nishani e garantoi Kryeministrin Izraelit Netanyahu se ky qëndrim do të mbetet i pandryshueshëm, sepse bazohet mbi parime të shëndosha dhe vlerësime objektive për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Gjithashtu Presidenti Nishani u takua më herët edhe me Kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje në Knesset (Parlamenti i Izraelit), Avigdor Liberman. Pas shkëmbimeve të mirëseardhjes, zoti Liberman vlerësoi lart nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe miqësinë tradicionale mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit duke nënvizuar se Lufta e Dytë Botërore hapi një kapitull të ri në këto marrëdhënie. Nga ana e tij, Presidenti Nishani u shpreh se dy popujt tanë tashmë e njohin njëri-tjetrin dhe shtoi se forcimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat është në interes të zhvillimit dhe forcimit të lidhjeve mes vendeve dhe popujve tona.