E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet rritje e inflacionit në eurozonë

Nga Express më 10 shkurt 2011 në ora 21:00

Banka Qendrore Evropiane (ECB) ka bërë të ditur të enjten vlerësimet e ekspertëve që tregojnë për më tepër rritje të shkallës së inflacionit në eurozonë këtë vit sesa që ishte pritur.

Anketa e ECB-së për tremujorin e parë të këtij viti, tregon se tash në eurozonë pritet rritje prej 1,6 për qind dhe rritje të inflacionit në lartësi prej 1,9 për qind.

Në anketën e mëhershme prognozuesit kanë pritur rritje të inflacionit në këtë vit në lartësi prej 1,5 për qind. Vetë ECB ka prognozuar në dhjetor shkallën mesatare të rritjes në eurozonë prej 1,7 për qind dhe me inflacion mesatar në lartësi prej 1,8 për qind. Në janar inflacioni në eurozonë është rritur në 2,4 për qind, për shkak të ngritjes së çmimeve të energjisë dhe produkteve ushqimore, por ECB të enjten përsëriti se pret stabilizimin e lëndëve të para gjatë këtij viti.

Për vitin e ardhshëm, ekspertët e anketuar kanë konfirmuar prognozën e rritjes ekonomike të eurozonës prej 1,7 për qind. Prognoza për inflacion është ngritur megjithatë për 0,2 për qind të pikëve, në 1,8 për qind.

Kjo prognozë për rritjen ekonomike përputhet me atë të ECB-së, por prognoza për inflacion është pak më e lartë se sa ajo e ECB-së, e cila për vitin e ardhshëm pret inflacion në lartësi prej rreth 1,5 për qind.

Banka do t’i japë muajin e ardhshëm prognozat tremujore, ku sipas anketave të ekspertëve pritet rritje e prognozave aktuale.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›