E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet rritje e kërkesës për naftë

Kërkesa botërore për naftë do të ripërtërihet me ritme më të shpejta për vitin e ardhshëm, sesa parashikimet e bëra deri tani. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka deklaruar se kjo vjen si pasojë e një tabloje të përgjithshme ekonomike më pozitive. Në një raport të përmuajshëm, agjencia e cila këshillon 28 ekonomitë e industrializuara, rriti parashikimet e saj për kërkesën globale për naftë për vitin 2010 në 1,42 milionë fuçi në ditë, rreth 150 mijë fuçi nafte në ditë më tepër sesa parashikimi i saj i mëparshëm. Vitin e ardhshëm kërkesa për naftë pritet të jetë rreth një mesatareje prej 86,05 milionë fuçi nafte në ditë, që reflekton parashikime ekonomike më optimiste nga Organizata e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të dhëna më të larta nga Amerika dhe Azia, thuhej më tej në raport. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) prodhoi më tepër naftë në muajin shtator sesa në gusht, duke e çuar shkurtimin e premtuar të prodhimit të naftës në 62 për qind, deklaroi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›