E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet të miratohet sot projektligji për SHISH

Ligji është kundërshtuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga ambasada amerikane në Tiranë, duke e vlerësuar si një ligj që cenon sigurinë kombëtare.

Mbledhja e komisionit do të zhvillohet sot në orën 12:00, kur maxhoranca do ta kalojë këtë projektligj pa ndryshime dhe pa e rishikuar. Një nga deputetët e maxhorancës, anëtar i këtij komisioni, Eduart Halimi deklaroi në një intervistë për "Alsat", se drafti nuk ka asnjë amendament antikushtetues.

"SHISH ka qenë dhe vazhdon të jetë një institucion në varësi të kryeministrit. Nuk ka qenë sot, është që në momentin kur është krijuar. Drejtori i SHISH-it emërohet nga Presidenti i Republikës me propozim të kryeministrit dhe ky është një fakt që në të vërtetë nuk është ndryshuar. Po ashtu dhe raportimi, ashtu siç dhe vetë e kërkoi drejtori i SHISH-it, do të rregullohej me të njëjtin vendim qeverie që ka funksionuar nga viti 1999 dhe në vijim dhe nuk ka ndonjë shkelje të ndonjë parimi. Nuk di cili është detaji që ka shqetësuar ambasadorin amerikan, sigurisht ato janë amendamente që nuk kanë kaluar në seancë plenare. Mund të paraqiten në komisionin përkatës", tha Halimi, duke sqaruar ligjin në fjalë.

Sipas tij, projektligji në fjalë është bërë duke bashkëpunuar edhe me ekspertët e SHISH-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›