E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritja, Berisha falenderon Ahmetin dhe Thaçin

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, në dy letra të ndara, ka falënderuar kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe atë të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, për takimet e fundit që dy liderët shqiptarë mbajtën në Shkup gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit shqiptar.
“I nderuar zoti Ahmeti, dëshiroj tju falënderoj për takimin e ngrohtë dhe bisedën e përzemërt e vëllazërore që zhvilluam së bashku gjatë vizitës sime në Maqedoni, më 9 nëntor 2011. Kam konstatuar me kënaqësi hapat e rëndësishëm që keni bërë në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, miratimin e akteve legjislative për përdorimin e gjuhës e të simboleve kombëtare, të cilat, së bashku me rrëzimin e proceseve të pabaza ndaj luftëtarëve të UÇK-së, përbëjnë arritje të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoni dhe mbarë kombin…, thuhet në letër-falënderimin drejtuar Ahmetit. Ndërkohë, në letër-falënderimin drejtuar kreut të PDSH-së, Berisha shprehet i lumtur që shqiptarët në Maqedoni dhe formacionet e tyre politike kanë dëshmuar, me dialogun konstruktiv e marrëveshjen parazgjedhore, vullnetin e palëkundur për konsolidimin e stabilitetit në vendin fqinjë, si dhe ecjen përpara me shpejtësi drejt projektit madhor të integrimit euroatlantik.

Shqipëria është dhe mbetet përkrahëse e fuqishme e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe qeveria shqiptare tërësisht e angazhuar dhe po punon për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe për të eliminuar të gjitha barrierat në qarkullimin e lirë të qytetarëve, mallrave e shërbimeve ndërmjet të dyja vendeve, duke vendosur standarde të ngjashme me ato të BE-se, si interesi më i mirë i së ardhmes të të dyja vendeve tona dhe i projektit të përbashkët madhor të anëtarësimit në BE, thuhet në letër-falënderimin drejtuar Menduh Thaçit.(koha)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›