Leka Zogu I, fillojnë homazhet në nder të tij
Kanë filluar homazhet për të nderuar figurën e pretendetit për fronin mbretëror Leka Zogu I. Homazhet kanë nisur siç ishte planifikuar në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në orën 12:00 në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Dita e sotme do të jetë një ditë zie kombëtare në nderim të figurës së pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu I.
Përcjellja për në banesën e fundit të Leka Zogut I do të përfshijë nderimet më të larta që parashikohen në Protokollin e Shtetit. Gjithashtu, në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, do të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje në nder të Leka Zogut I.
Në homazhet që po zhvillohen po marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit, ambasadorët e trupit diplomatik në Tiranë, pritet të ketë dhe përfaqësues të oborreve monarkike në Europë dhe më gjerë, miq të familjes së mbretit Zog dhe shqiptarë nga Shqipëria, Kosova etj. Për përgatitjen e ceremonisë së homazheve dhe më pas varrimit në varrezat e Sharrës, Këshilli i Ministrave ka ngritur Komisionin Ndërministror, i cili do të marrë përsipër edhe shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit.
Pretendenti për fron mbretër Leka Zogu I u nda nga jeta, në moshën 72-vjeçare, pas një arresti kardiak. Sot Policia e Shteti ka njoftuar të gjithë qytetarët se rrugët kryesore të kryeqytetit nga ora 8:00 deri në 13:00 do të jenë të bllokuara për shkak të homazheve në nderim të Leka Zogu I.