Pritje e zjarrtë për Canën e Taren në Shkup

Tifozët ‘Kuq e Zi’ ua kanë bërë një pritje madhështore Lorik Canës e Igli Tares, kur skuadra e tyre zbarkoi në Shkup për ta zhvilluar ndeshjen kthyese të play-off-it për Europa League ndaj Rabotniçkit.
“Lorik Cana, Lorik Cana – ti je krenaria. Igli Tare, Igli Tare – legjenda je ti...”. Kështu brohoritnin qindra tifozë shqiptarë, të cilët ishin tubuar në Aeroportin e Shkupit për t’u bërë një pritje madhështore yllit të Kombëtares shqiptare, Lorik Canës dhe ish reprezentuesit shqiptar Igli Tares, i cili aktualisht është drejtor sportiv i Lazios.
Sipas mediave maqedonase, pritja madhështore e tifozëve shqiptarë për Canën e Taren i ka mahnit futbollistët e tjerë të skuadrës italiane dhe zyrtarët e tjerë të Lazios.
“Është kënaqësi sidomos kur keni një pritje të tillë. Është mirë që ta kryejmë punën tonë dhe mandej këta tifozët “kuq e zi” t’i kënaqim me Francën”, ka thënë Cana për Alsat M. Kurse Tare u shpreh: “Falënderojmë këta tifozë tanë që kanë ardhur të na përkrahin dhe të na nderojnë”.