Pritjet për zyra

Jo vetëm Qeveria e Kosovës, por edhe Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ka pritur që si rezultat i dialogut me Serbinë të jetë pajtimi për të hapur zyrat ndërlidhëse në vendet përkatëse.
Jacobson ka thënë për mediet se qëllimi i dialogut, përveç normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, ka thënë të jetë edhe hapja e zyrave ndërlidhëse mes dy shteteve.
Por, në raundin e tretë Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq janë pajtuar të shkëmbejnë zyrtarë ndërlidhës, të cilët do të funksionojnë në Zyrat e BE-së në Prishtinë dhe Beograd.
“Dy kryeministrat janë pajtuar që secili të emërojë nga një zyrtar ndërlidhës. Për fillim, në kuadër të rolit lehtësues të BE-së, delegacioni i BE-së në Beograd dhe Zyra e BE-së në Prishtinë do të ofrojnë zyrat ndërlidhëse për këta zyrtarë ndërlidhës”, ka deklaruar Baronesha Ashton, pas darkës së përbashkët me Thaçin e Daçiqin.
“Express” ka raportuar më herët se vendet e BE-së kanë bërë presion që Serbia të pranojë hapjen e zyrave ndërlidhëse, por se në fund ka fituar opsioni i Beogradit.
Marrëveshjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë i ka përshëndetur edhe Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele. Ai ka thënë se Qeveria e Serbisë po tregon “guxim” dhe i ka bërë thirrje Këshillit të Evropës që t’i përgjigjet me hapa të njëjtë.
“Qeveria e Serbisë, në raundin e fundit të dialogut me Prishtinën, ka treguar guxim. Asaj i duhet mbështetja jonë”, ka thënë Fuele, duke iu drejtuar të pranishmëve në Forumin për Përparimin e Ballkanit, në Bruksel.
Siç transmetojnë mediet serbe, Fuele ka thënë se procesi i zgjerimit të BE-së, për disa arsye, ndodhet në vështirësi, por edhe “Këshilli i Evropës duhet të tregojë guxim”.
“Këshilli duhet t’i ofrojë perspektivë të qartë evropiane Serbisë”, ka thënë ai.
Duke folur për Kosovën, diplomati evropian ka shprehur kënaqësinë se Kosova “më në fund është gjendur në rrjedhën kryesore të procesit të zgjerimit”.
Mbrëmë në Bruksel është zhvilluar takimi i tretë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq.
Dy zyrtarët janë pajtuar që deri në fund të këtij viti të nisë zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në katër vendkalime të përbashkëta kufitare.
Prishtina dhe Beogradi kanë arritur këtë marrëveshje qysh në muajin shkurt, në kuadër të dialogut teknik, por zbatimi i saj ka ngecur.
BE-ja ka porositur palët se përparimi në bisedime do të avanconte rrugën e tyre evropiane.