Privatizimet, Berisha po nxiton në prag të fushatës

Për ta konkretizuar sfidën e radhës, qeveria miratoi që në fillim, nisjen e procedurave për shitjen e aksioneve të mbetura te kompania celulare AMC, ndërsa të tjera vendime priten të merren deri në përfundim të procesit.
Ndërkaq, plani i qeverisë për t’i shitur të gjitha asetet e saj në kompani të ndryshme nuk përputhet në një periudhë të përshtatshme, kjo e lidhur me disa shkaqe.
Për Selim Belortanë, ekspert i ekonomisë për fushën e investimeve dhe tregtinë me jashtë, qeveria ka zgjedhur kohën më të papërshtatshme për shitjen e të gjitha aksioneve, jo vetëm të atyre në minorancë, por edhe i kompanive të mëdha si OSSH apo “Albpetrol”.
Deklarata e Kryeministrit, se “brenda periudhës 1-vjeçare, do të hiqet dorë plotësisht nga zotërimi i aksioneve në kompani dhe ndërmarrje të ndryshme”, shikohet me mjaft dyshim nga ekspertë të fushës.
Belortaja, drejtor Ekzekutiv i ACIT (Qendrës për Studimin e Tregtisë me Jashtë), thotë për gazetën se, procesi i privatizimit për të gjitha kompanitë është i vonuar dhe se efektet në buxhet do të jenë tepër të vogla, kjo për faktin se interesi i investitorëve të huaj ka rënë, për shkak të krizës globale.
“Si fillim, qeveria duhet të përmirësojë kuotat, të cilat në vitet e fundit kanë pësuar rënie. Nuk mund të nxirren në treg aksione, për të cilat është investuar shumë pak, ndërsa të ardhurat nga to nuk kanë asnjë vlerë.
Shumë prej ndërmarrjeve paraqesin bilance me humbje, ndërsa të tjerat nuk derdhin dividendin ose e vonojnë atë”. Një tjetër shkak, që e bën procesin tepër dyshues, lidhet me periudhën elektorale.
“Nuk është momenti për t’i shitur të gjitha aksionet në bllok, në një kohë kur kanë mbetur dhe pak muaj nga zgjedhjet parlamentare.
Ndryshe, të ardhurat nga shitja e aseteve do të përdoreshin për fushatën zgjedhore, ndërsa procesi i privatizimeve mund t’i shërbejë atyre bizneseve që kanë lidhje me qeverinë”, vijon komentin Belortaja.
Tjetër problem lidhet me ligjin për buxhetin, i cili me ndryshimet e fundit përcakton qartë rastin se të ardhurat nga privatizimet përdoren me vendim të qeverisë dhe jo me votën e Kuvendit.
“Shitja e aksioneve mund të bëhej vetëm për përqindjet e vogla, pra aty ku shteti ka minorancën, ndërsa për kompanitë e mëdha, llogaritë duhen bërë mirë. Për kohën që jetojmë, asnjë investitor i huaj nuk ka interes të shpenzojë para, pa marrë më parë siguri për gjendjen e kompanisë”, përfundon shefi i ACIT.