Privatizimi i “Albpetrol”, Dervishaj: Kompania s’ka depozituar garancinë
Në një prononcim për mediat në lidhje me ecurinë e procesit të privatizimit të Albpetrol sh.a., zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Sokol Dervishaj deklaroi se kompania Vetro Energy, e cila u rendit e para në tenderin e zhvilluar më datë 7 shtator dhe fitoi të drejtën e negocimit të Kontratës së Shitjes së Aksioneve, nuk arriti të nënshkruajë KSHA-në brenda datës 3 dhjetor, afati i fundit ligjor, si dhe nuk depozitoi garancinë e kontratës prej 20% të vlerës së ofertës.
Dervishaj deklaroi se pas skadimit të afatit të fundit ligjor, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i lind e drejta të kërkojë ekzekutimin e procedurës së tërheqjes së garancisë së ofertës prej 10 %.
Zv/Ministri Sokol Dervishaj iu përgjigj interesit dhe pyetjes së gazetarëve duke sqaruar se nëse Vetro Energy do të depozitojë në ditët në vijim garancinë e kontratës, METE do të tregojë fleksibilitet për të vlerësuar rifillimin e negociatave, duke pasur në vëmendje rëndësine e veçantë të këtij privatizimi.
...