Privatizimi i “Albpetrol”-it, 1200 punonjës dalin në rrugë
Kompania e naftës “Albpetrol” do të kalojë sërish në proces ristrukturimi, duke u bashkuar me dy ndërmarrjet e tjera shtetërore, “Uzina Mekanike e Naftës”, Kuçovë dhe ajo e Patosit. Këto ndryshime prekin numrin e punonjësve, duke i reduktuar, me të paktën 1200 vetë. Për këtë shkak, Ministria e Ekonomisë ka propozuar marrjen e disa masave për trajtimin me financiar të punonjësve që dalin pa punë. Trajtim do të përfitojnë të gjithë ata punonjës që kanë punuar një vit rresht pa ndërprerje në të tria ndërmarrjet. “Këta punonjës përfitojnë për një periudhë 1-vjeçare, pagesë pagë bruto mesatare mujore, individuale të vitit të fundit të punës. Në përfundim të kësaj periudhe, punonjësit kanë të drejtë të aplikojnë për të ardhurën nga papunësia në zyrat e punësimit”, thuhet në pikën dy të vendimit, i cili ka hyrë dje në fuqi. Fondi në total për përballimin e skemës është 600 milionë lekë, kurse pagesa ndërpritet direkt pasi përfituesi zhvillon veprimtari ekonomike. Ndryshimet në ndërmarrjet shtetërore vijnë pas marrëveshjeve koncesionare të lidhura me kompanitë private, duke reduktuar puset e naftës, që dikur menaxhoheshin nga shteti.
Tatimet, shkarkohet Papajani dhe zëvendësohet nga Spahia
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, është shkarkuar nga detyra pas një vendimi të papritur të qeverisë. Shkarkimi i tij është pranuar dje zyrtarisht nga burime zyrtare të këtij institucioni, ndërsa Këshilli i Ministrave nuk e ka publikuar ende në faqen zyrtare të tij. Nuk dihen motivacioni i shkarkimit të Papajanit i cili u emërua në krye të DPT-së në janar të vitit 2009, duke zëvendësuar në atë kohë Arben Sefgjinin. Në vend të Papajanit është emëruar po dje zyrtarisht Gazmir Spahia, ish-drejtor i doganës në Vlorë.
Shkarkimi i Papajanit vjen në një kohë kur Tatimet po kritikoheshin për mosrealizim të planit me mbledhjen e të ardhurave edhe pse kishin arritur disa rezultate në formalizimin e biznesit siç është vendosja e kasave apo deklarimet online. Largimi i tij u bë kur pak javë më parë ishte larguar nga detyra edhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Endri Pema. Po ndonëse për Pemën motivet ishin rezultate të dobëta në mbledhjen e të ardhurave doganore, me Papajanin ato ende nuk dihen zyrtarisht, në një kohë që i është premtuar kreu i Avokatit të Tatimeve, strukturë e re e krijuar brenda DPT-së.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 12.05.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.38%
12M 12-mujor 7.14%
6M 6-mujor 6.17%
3M 3-mujor 5.36%
1M 1-mujor 5.09%
1Ë njëjavor 4.96%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.62%
1Ë njëjavor 6.19%
o/n njëditor 5.98%
12M 12-mujor 8.78%
6M 6-mujor 7.79%
3M 3-mujor 7.01%
14 Maj 2010