E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i Divizionit të Shpërndarjes në KESH rrezikon që të shtyhet edhe për më shumë se dy vjet

Malaj: Privatizimet, të dështuara
"U vonua për rreth dy vjet "Albtelekomi", i cili rëndoi rëndë në xhepat e konsumatorëve shqiptarë. Ka përkeqësim të situatës në KESH, e cila do ta pengojë privatizimin e saj. E njëjta situatë ka ndodhur me ARMO-n dhe duket se edhe INSIG nuk ka arritur që të fitojë një status më të plotë në konkurrencën në tregun shqiptar. Pra, nuk kemi të bëjmë me privatizime të suksesshme".
Një ditë pasi kryeministri Sali Berisha deklaroi se viti 2008 do të jetë viti i privatizimeve të mëdha të qeverisë, opozita e majtë ka reaguar, duke i cilësuar të dështuara që tani këto privatizime. Një reagim i tillë është bërë nga deputeti socialist, Arben Malaj, sipas të cilit, dështimi i qeverisë në privatizime ka nisur me vonesën e gjatë, por edhe me keqmenaxhimin e kompanive shtetërore. "U vonua për rreth dy vjet "Albtelekomi", i cili rëndoi rëndë në xhepat e konsumatorëve shqiptarë. Ka përkeqësim të situatës në KESH, e cila do ta pengojë privatizimin e saj. E njëjta situatë ka ndodhur me ARMO-n dhe duket se edhe INSIG nuk ka arritur që të fitojë një status më të plotë në konkurrencën në tregun shqiptar. Pra, nuk kemi të bëjmë me privatizime të suksesshme. Nuk kemi të bëjmë me privatizime që janë pjesë e strategjisë ekonomike të PD-së, por kemi të bëjmë, në vitin 2008, me privatizime të vonuara të kësaj qeverisjeje, privatizime të cilat kanë dhënë impakt negativ në sektorët përkatës",- është shprehur Malaj. Madje, sipas deputetit socialist, nëse nuk nxitohet me privatizimin e Divizionit të Shpërndarjes në KESH, atëherë rreziku është i madh që ky të shtyhet edhe për më shumë se dy vjet, pasi viti i ardhshëm është vit elektoral. "Çdo vonesë, zvarritje, mungesë përgjegjësie apo dështim në vitin 2008 për ristrukturimin, për reformat, pse jo edhe për privatizimin e shpërndarjes së KESH-it do ta shtyjë këtë proces minimalisht edhe dy vjet të tjera, pasi viti 2009 është vit elektoral. Nuk kemi përvojë pozitive për privatizimet në vit elektoral dhe njëkohësisht kostot e vonesave do ta bëjnë më të vështirë menaxhimin nga kompania private, për përmirësimin e shpejtë të situatës",- vijoi deputeti i PS-së, ndërsa u shpreh skeptik dhe mosbesues në aftësitë e qeverisë për të realizuar projektet e saj. Kjo, sipas tij, pasi faktet tregojnë se ajo po dështon jo vetëm me privatizimet, por edhe me nismat e saj të reklamuara mjaft në media, si "Shqipëria 1 Euro" apo "Skema e kafshatës".
Por sipas zëvendësministrit të Ekonomisë, Eno Bozdo, kompania shtetërore e naftës ARMO, INSIG, Sektori i Shpërndarjes i Korporatës Elektroenergjetike, si edhe pjesa e aksioneve shtetërore tek AMC do të nxirren në shitje, me synim privatizimin strategjik brenda këtij viti dhe mundësitë për realizimin e këtyre investimeve janë të mëdha. Sipas Bozdos, bilanci financiar i këtyre kompanive nuk do të pengojë privatizimin, duke bërë të ditur se përveç Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, kompanitë e tjera kanë një bilanc pozitiv. Të rëndësishme sipas tij janë opsionet, të cilat do t'u serviren investitorëve. Ndërkaq, është herët për të artikuluar shifrën, e cila do të derdhet në Arkën e Shtetit nga shitja e kompanive shtetërore. Qeveria, në bazë edhe të sugjerimeve të ndërkombëtarëve, ka përzgjedhur privatizimin në raport me dhënien me koncesion. Këto do jenë edhe privatizimet e fundit të një procesi të gjatë të nisur 17 vjet më parë. Brenda këtij viti do të mbyllet procesi i gjatë i privatizimeve. Katër emrat e fundit që do të shiten brenda 2008 janë ARMO, INSIG, Sektori i Shpërndarjes i Korporatës Elektroenergjetike dhe aksionet shtetërore tek AMC.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›