E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrumbohet shtëpia e Qazim Mulletit

Godina 2-katëshe tek Pazari i Ri u dogj mesditën e djeshme. I ishte hequr statusi i veçantë vite më parë
Zjarrfikëset mbërrijnë 30 minuta me vonesë. Dyshime për shkëndijë elektrike dhe zjarr të qëllimshëm
TIRANË- Flakët e zjarrit shkrumbojnë një banesë dykatëshe, të ndërtuar disa dekada më parë nga familja e Qazim Mulletit. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, në rrugën "Qemal Stafa", pranë Pazarit të Ri në kryeqytet. Familjet që banonin në godinën e rrënuar nga vitet kanë vënë në dijeni zjarrfikëset dhe policinë. Megjithëse janë lajmëruar që kur u konstatua vatra e zjarrit, zjarrfikësit mbërritën në vendin e ngjarjes me vonesë, për shkak të trafikut të rënduar. Rreth pesë makina zjarrfikëse janë parkuar para ndërtesës dykatëshe, por flakët janë shuar vetëm pasi kishin shkrumbuar të gjithë banesën. Ndërkohë që në vendin e ngjarjes mbërritën edhe ekspertë të policisë së kryeqytetit për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit. Policia dyshon se zjarri mund të ketë rënë pas një luhatje në rrjetin e energjisë elektrike, ndërsa paralelisht me këtë pistë hetimi po verifikohen edhe dyshimet për një zjarr të qëllimshëm.
Flakët
Banesa dykatëshe, fillimisht pronë e prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti e në vitet '41-'44, qendër e partizanëve është ndër godinat më të vjetra të kësaj zone. Edhe pse ka gëzuar një status të veçantë deri pak vite më parë, ishte në gjendje thuajse të rrënuar. Aktualisht në të banonin tre familjeve: Thanas Çiço, Ismail Baze dhe Agim Islami. Banesa dykatëshe, megjithëse e vjetër nuk ishte shembur, por janë dashur rreth dy orë që flakët e zjarrit të shkrumbojnë atë tërësisht. Zjarri përfshiu fillimisht një nga dhomat e katit të parë dhe më pas u përhap në të gjithë ndërtesën. "Sapo pamë flakët e zjarrit dolëm menjëherë për të shpëtuar. Nuk mundëm të nxirrnim jashtë asnjë orendi, pasi flakët e zjarrit u përhapën me shpejtësi"- u shpreh për "Shekullin" një nga banoret e ndërtesës së djegur. Banorët lajmëruar menjëherë zjarrfikëset. Këto të fundit kanë vonuar rreth 30 minuta për të mbërritur në vendin e ngjarjes. Megjithatë punonjësit e zjarrfikëseve mundën të neutralizonin flakët, duke shmangur nga rreziku disa banesa të tjera përreth.
Hetimet
Pranë banesës së shkrumbuar mbërritën ekspertë të policisë së Tiranës, për të bërë kqyrjen e provave. Policia nisi menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e rënies së zjarrit. Nga hetimet e para policia dyshon se flakët e zjarrit kanë ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike. Ndërkohë që policia ka ngritur dhe një tjetër pistë hetimi, atë të vënies së qëllimshme të zjarrit. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se banorët e ndërtesës së djegur, prej kohësh janë futur në konflikte me njëra- tjetrën. Njëra palë ka kërkuar prishjen e ndërtesës, ndërsa trualli të përdorej për ndërtimin e një pallati të ri, por kjo kërkesë dyshohet të jetë kundërshtuar nga pala tjetër. Kështu janë hedhur dyshime se zjarri mund jetë vënë me qëllim për shkatërrimin e godinës, duke i lënë kështu vend ndërtimit të një pallati. Megjithatë kjo mbetet ende në kuadrin e dyshimeve, pasi policia nuk ka përfunduar hetimin për zbardhjen e plotë të motivit të rënies së këtij zjarri.
Banorja Panajote Çiço rrëfen dyshimet e saj për zjarrin në godinën 2-katëshe
"Ne shpëtuam, por na u dogjën të gjitha orienditë"
TIRANË- "Në një nga dhomat e banesës vinin shpesh djemtë e rrugës dhe flinin aty. Ata kishin thyer xhamat e dritares dhe hynin, bënin shumë zhurmë. Për këtë kam shkuar në polici ku kam denoncuar dy herë", -tregon për gazetën Panajote Çiço, një nga banoret e ndërtesës e cila u shkrumbua nga zjarri mesditën e djeshme. Panajote Çiço bashkë me bashkëshortin e saj, të mpirë nga sëmundjet e pleqërisë kanë mundur të dalin çalë-çalë nga banesa, duke u shpëtuar flakëve të zjarrit.
Ku ndodheshit ku ra zjarri?
Ndodheshim në shtëpi. Ne banojmë në katin e parë të ndërtesës. Kur ra zjarri ne dolëm menjëherë dhe shpëtuam, por na u dogjën të gjitha orenditë.
Si vepruat më pas?
Lajmëruam menjëherë zjarrfikëset, por ato erdhën 30 minuta me vonesë. Nuk mundën të shpëtonin asgjë në shtëpitë tona.
Cili mund të jetë shkaku i rënies së zjarrit?
Nuk e dimë. Por unë kam shkuar dy herë në polici dhe kam bërë denoncim. Djemtë rrugaçë vinin shpesh dhe flinin të një nga dhomat e banesës, ku nuk jeton njeri. Ata kishin thyer xhamat dhe vinin e kalonin aty natën. Bënin shumë zhurmë, ndaj dhe denoncova në polici. Por policia nuk bëri asgjë. Kështu që mendoj se ata mund të kenë vënë ndonjë zjarr, nuk di ç'të them. Ndonjë fishekzjarr, ca thonë energjia elektrike, nuk e dimë ende në fakt.
Prej sa vitesh jetoni në këtë banesë?
Prej shumë vite, gati që 50 vite më parë.
Thuhet që zjarri mund të jetë vënë qëllimisht, pasi shembja e kësaj ndërtese do të favorizonte ndërtimin e një pallati të ri. Si qëndron e vërteta?
Nuk besoj të kenë qenë kaq kriminelë njerëzit, sa të na digjnin për këtë gjë. Kjo nuk varej nga ne, nëse pronarët do të donin të lejonin të ndërtohej një pallat i ri, le të ndërtohej. Nuk i kishte ndaluar njeri.
HISTORIKU
Shtëpia e djegur, bazë për
Enver Hoxhën gjatë Luftës
TIRANË- Një shtëpi plot histori ka qenë ajo e shkrumbuara dje tek Pazari i Ri në Tiranë. E ndërtuar aty rreth viteve '20 nga familjarët e Qazim Mulletit, ajo ka strehuar për shumë kohë ish-prefektin e Tiranës dhe vëllezërit e tij, derisa ky i fundit u arratis drejt Austrisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, godina 2-katëshe u kthye në bazë të rëndësishme për partizanët. Sipas dëshmive të banorëve, rreth vitit '42, aty është strehuar edhe Enver Hoxha dhe Bahri Omari, ndërsa shërbente për shpërndarjen e trakteve apo rrugë kalimi për partizanët. Pas Çlirimit, ajo u sekuestrua dhe u bë qendër e UNRA-s, organizëm i ngritur nga ndërkombëtarët për të ndihmuar shtetet e pasluftës. Më vonë, kjo shtëpi u kthye në një shkollë për analfabetizmin. Vitet e fundit u dha me ankand, ndërsa familjet që jetuan aty për ca kohë nuk e paguan dot çmimin dhe humbën të drejtën e blerjes, kështu që shteti i kaloi banesën dykatëshe me qira, ku sot e kësaj dite banonin tre familje. K.K

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›