E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nano, ambicie për kandidat mbi palët për President

Edi Rama

Kreu socialist flet për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Ka kohë që spërfaqëson PS, në kërkim të një profili që ai ka zgjedhur vetë ta mishërojë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se Fatos Nano nuk është kandidat i PS-së për President. Në një intervistë dhënë për televizionin Klan, Rama u shpreh se Nano është duke ndërtuar një profil mbi palët. Fatos Nano nuk është kandidat i PS, është një figurë politike që ka shfaqur ambicien për të qenë një kandidat mbi palët, por nuk është kandidat i Partisë Socialiste. Ka kohë që është distancuar nga Partia Socialiste, ka kohë që nuk e përfaqëson PS, në kërkim të një profili që ai ka zgjedhur dhe tentuar ta mishërojë. Se sa e ka mishëruar, kjo pastaj është çështje e gjykimit të palëve dhe sot nuk jemi në ditën e gjykimit, u shpreh kreu i Partisë Socialiste. Ka disa muaj që gjuha mes Fatos Nanos dhe Edi Ramës është zbutur dhe nuk u ngjan aspak kohëve të vjetra, kur Rama e akuzonte Nanon se kishte punuar kundër Partisë Socialiste në zgjedhjet e mëparshme, ndërsa Nano e ka akuzuar Ramën se po shkatërron PS dhe e ka kthyer atë në klan miqsh dhe biznesmenësh. Partia Socialiste ka kërkuar ndërtimin e një procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit në korrik të këtij viti, ndërsa brenda saj ka ngritur dhe një grup pune të përbërë nga deputetë dhe anëtarë kryesie për të parë të gjitha modalitetet se si mund të arrihet në Presidentin konsensual. Nga e majta, vetëm Fatos Nano ka shpallur ambicien e tij për të qenë në garën për kreun e shtetit, ndërsa e djathta ka hedhur në tregun politik disa emra, përfshirë këtu dhe kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli. Faktori ndërkombëtar, i pyetur javët e fundit se kujt duhet ti përkasë Presidenti i ardhshëm, është shprehur se ai duhet të zgjidhet mbi bazën e Kushtetutës dhe konsensual. Vetë maxhoranca dhe kreu i saj, Sali Berisha, është shprehur se Presidenti i ardhshëm do ti përkasë Partisë Demokratike. I pyetur gjatë intervistës për televizionin Klan, Rama shpjegoi dhe qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me votimin e Kodit Penal. Sipas Ramës, deputetët e PS e votuan Kodin, edhe pse nuk u pranuan propozimet e PS, vetëm që të mos bllokohej procesi i integrimit të vendit në BE. Diskutimi në këtë komision ishte një diskutim real, i vërtetë, jo një fasadë apo farsë. Ngecëm në një pikë që për ne ishte shumë e rëndësishme, luftuam deri në momentin e fundit që ajo të bëhej pjesë e konsensusit dhe minutën e fundit, kur pala tjetër refuzoi, midis rrëzimit të të gjithë ligjit dhe pajtimit me faktin që në atë pikë ne nuk arritëm dot të marrim konsensus, natyrisht që ne zgjodhëm të dytën, sepse ishte më e rëndësishme të kalohej Kodi Penal, sesa të futeshim në një proces tejet të ngatërruar për të gjitha gjërat që lidhen me marrjen e statusit për shkak të asaj pike që ishte e rëndësishme dhe mbetet e rëndësishme, u shpreh Rama.

Rama: Tragjedia smbyllet me farsë gjyqësore

Kreu socialist shpreh ngushëllimet e tij në 4-vjetor

është thjesht një pazar korruptorësh dhe të korruptuarish

Deputetët e PS dje në Gërdec

Kreu socialist, Edi Rama, ishte dje në familjen më të prekur të tragjedisë së Gërdecit, pranë prindërve të Erison Durdës, djalit 7-vjeçar që humbi jetën nga shpërthimi i depos së municionit.
Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me Zamirën dhe Feruzanin, u shpreh se kjo ngjarje e rëndë nuk mbyllet me një farsë procedurale, nuk e mbyll dot as një pazar korruptorësh dhe të korruptuarish. Ky gjyq, sigurisht që në mënyrë të drejtpërdrejtë prek gjithë familjet e viktimave. Por prek edhe palcën e sistemit të bashkëjetesës mes shqiptarëve në një shoqëri ku nuk ka asnjë lloj mundësie të jesh i barabartë para ligjit. Ju jeni ndoshta dëshmitarja më e besueshme në historinë e Drejtësisë shqiptare, sepse keni ndjekur vetë procesin, siç thoni tri herë në javë rregullisht, është një pafuqi e tmerrshme dhe përballë kësaj pafuqie është shumë e vështirë të gjesh fjalë për tju ngushëlluar apo për tju ushqyer shpresën. Unë jam i bindur që kjo është një nga ato lloj plagësh që i kapërcejnë kufijtë e atyre që janë të përfshirë drejtpërdrejt. Është një nga ato plagë që historia tregon se nuk i mbyll dot padrejtësia. Nuk i mbyll dot këto lloj plagësh një farsë procedurale, një gjyq i zvarritur, një pazar korruptorësh dhe të korruptuarish, sepse janë plagë të cilat vazhdojnë të mbeten aty dhe vazhdojnë të mbeten në ndërgjegjen e kombit dhe në ndërgjegjen e vendit, u shpreh Rama. Mamaja e Erisonit, Zamira, tha se nuk u gjykuan ata që ishin urdhëruesit e Gërdecit. Jam e bindur që nuk ishte gjykimi i plotë, sepse nuk ishin urdhëruesit, sepse ata që ishin prezentë thoshin ne zbatuam VKM-në. Pra, aty nuk ishin urdhëruesit, vetëm zbatuesit, u shpreh Zamira Durda. Për kreun socialist, Drejtësia shqiptare bëhet sipas pagesës. Është vrasje dhe poshtërim. Fjalët është vështirë ti gjejë njeriu kur gjendet përballë kësaj situate. Është vështirë të gjejë ngushëllim kur është në pozicionin tuaj, por të jeni të sigurt që është vështirë të gjejë ngushëllim çdokush që pret që të ndjehet i sigurt duke parë që ka drejtësi në këtë vend. Këtu drejtësia jepet sipas mundësisë për të paguar. Jo sipas ligjit dhe sipas nevojës për tu ndjerë të gjithë të barabartë, u shpreh Rama. Në katër vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, deputetët e PS, Arta Dade, Namik Dokle, Sajmir Tahiri, Artan Gacci vendosën lule në memorialin e ngritur në kujtim të 15 marsit 2008. Kjo drejtësi që komandohet nga kryeministri nuk mund të bëjë drejtësi. Neve jemi me dhimbjen tuaj, jemi me revoltën tuaj dhe kjo nuk mjafton për ne si grup parlamentar socialist. Ne do ta vazhdojmë përpjekjet maksimale për të bërë drejtësi për tragjedinë e Gërdecit. Që përgjegjësit të shkojnë përpara ligjit, iu shpreh Dade njërës prej familjarëve të viktimave.

Rama, vizitë në SHBA
Kreu socialist, Edi Rama, u nis dje për një vizitë disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë udhëtim ai shoqërohet nga deputetët Ditmir Bushati, Andis Harasani dhe nga sekretari për Emigracionin, Erjon Veliaj. Sot në orën 16:00, Rama do të zhvillojë një takim me shqiptarë në New York University në Nju Jork, ndërsa ditën e martë do të takohet me zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit, Philip Reeker, i cili zëvendëson në këtë post Thomas M. Countryman.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›