Privatizimi i OSSH-së, AMC-së dhe INSIG-ut, brenda muajit shtator
Ministria e Ekonomisë ka detajuar edhe planin e privatizimeve strategjike në ekonomi. Mesi i dytë i vitit 2008 ka për të qenë vërtet i ngjeshur për Ministrinë e Ekonomisë për shkak se pritet të ndodhin tri privatizime të mëdha. Së pari, pritet të privatizohet Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, i planifikuar brenda muajit shtator, por më pas privatizimet do të ndjekin aksionet shtetërore në kompaninë e sigurimeve INSIG, si dhe 14 për qind të aksioneve në kompaninë celulare AMC. Duket privatizimi i një prej sektorëve më të rëndësishëm në vend, atij të energjisë elektrike do të përfundojë brenda muajit shtator. I cilësuar si një prej privatizimeve më delikate, tashmë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë do të kalojë në duart e investitorëve privatë. Janë katër kompani të huaja që, pasi kanë kaluar fazën parakualifikuese, tashmë presin tenderin për të mësuar se cila prej tyre do të jetë pronarja e re e OSSH-së. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikes, në fazën parakualifikuese ato që kanë dorëzuar dokumentacionin zyrtar janë kompania italiane ENEL, kompania EVN, kompania çeke CEZ dhe ajo austriake Enery Steiermark AG. Aktualisht, procesi i privatizimit të kompanisë shtetërore më të madhe në vend ka hyrë në një fazë të rëndësishme. Aktualisht, është duke filluar procesi i vlerësimit të korporatës, i cili do të konkludojë edhe në përcaktimin e vlerës së shitjes së divizionit të shpërndarjes së KESH-it. I gjithë procesi i privatizimit është parashikuar të mbarojë brenda vitit të ardhshëm, gjë që është bërë e ditur që më parë nga Ministria e Ekonomisë. Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë, ka pasur një interesim mjaft të madh prej një sërë kompanish të huaja për të marrë nën pronësi sektorin e shpërndarjes së energjisë. Sipas ministrisë, kjo tregon që shanset janë mjaft të mira që sektori i shpërndarjes shumë shpejt të kalojë në menaxhim privat, gjë që do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e performancës së kësaj kompanie. Qeveria është duke punuar që privatizimi i KESH-it të fillojë sa më shpejt, për të bërë të mundur vënien në efiçencë të kësaj korporate. Ky privatizim është në listën e projekteve më të rëndësishme në sektorin energjitik.