E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia, kufizimet shqetësojnë qytetarët

Ndërprerja e energjisë elektrike është bërë shqetësuese për shumë qytetarë në Tiranë e në rrethe të tjera. Ndonëse OSSH nuk ka parashikuar kufizime të energjisë elektrike me grafik, ato nuk kanë munguar përgjatë gjithë këtyre ditëve të nxehta. Në kryeqytet në disa zona energjia ka munguar edhe për 5 orë me radhë, duke u shtuar qytetarëve një stres më shumë veç motit shumë të nxehtë. Në fillim të muajit korrik vetë ministri e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pranoi se do të ketë kufizime sporadike në gjithë vendin dhe këto do të ndodhin vetëm për shkak të remonteve, që sipas tij, do të zgjasnin vetëm disa ditë. Ndërkohë në mesin e muajt gusht ndërprerjet e energjisë vazhdojnë të jenë prezente në familjet shqiptare. Madje, jo vetëm në Tiranë, apo në rrethe të tjera, por këto ditë ndërprerje të energjisë ka pasur edhe në zona turistike. Në zonën e Golemit për ditë me radhë energjia ndërpritet për disa orë, madje edhe në orët e mbrëmjes që energjia është më e domosdoshme se gjatë ditës pushuesit shfrytëzojnë detin. Ruli ka deklaruar në fillim të verës se për këtë sezon Shqipëria e ka kapacitetin e mjaftueshëm për të furnizuar me energji elektrike konsumatorët e saj. Sipas tij, asnjë kufizim nuk do të ndodhë gjatë kësaj verë si mungesë e kapaciteteve furnizuese, por vetëm për shkak të remonteve që po i bëhen rrjetit. Ndonëse se ndërprerjet justifikohen me faktin se po kryen remonte në rrjetin e shpërndarjes, në shumë raste nuk lajmërohet më parë konsumatori se do të ketë ndërprerje. Çka të lë të mendosh se ndërprerja bëhet për arsye të tjera. Pak ditë më parë përfaqësues të Konfederatës së Industrialistëve protestuan për ndërprerjet e energjisë elektrike. Madje, ata akuzuan se kjo ndërprerje e energjie bëhet për shkakun se energjia po shitet. Shitja e energjisë sigurisht që do të shtonte të ardhurat e OSSH-së, e cila është në prag të privatizimit. Por ky argument nuk i qetëson aspak qytetarët, të cilët në një kohë kur vendi ka kapacitet furnizues duhet të durojnë edhe errësirën në këto ditë me temperatura të larta. Pak ditë më parë përfaqësues të industrisë konfeksioniste i kërkuan OSSH-së të mos ndërpritej energjia, pasi kështu ky lloj biznesi rrezikon falimentin. Drejtues të Dhomës Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve (ish-Shoqata e Prodhuesve Eksportues të Konfeksioneve prej Tekstili) kanë shprehur shqetësimin lidhur me ndërprerjet e fundit të energjisë elektrike në disa nga zonat ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre kompanitë e prodhuesve të veshjeve, në Tiranë dhe në rrethe. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve ka vënë theksin se justifikimet për defekte apo remonte në linjën e shpërndarjes duken si të paqena, për arsyen se në të shumtën e rasteve as nuk lajmohet se do të ketë ndërprerje.

Importi i mishit rritet gjatë gjysmës së parë të vitit

Importi i mishit në 6-mujorin e parë të vitit ka pësuar rritje, duke u dyfishuar kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Burimet vunë në dukje se gjatë kësaj periudhe janë importuar rreth 4.420 kv mish gjedhi, 53.420 kv mish derri dhe për llojet e ndryshme të sallameve rreth 700 kv. Në këtë masë importesh nuk ka mbetur pas dhe importi i mishit të pulës dhe prodhimeve të detit. "Por ajo që të bie në sy në lidhje me importet e prodhimeve blegtorale në shkallë vendi është rënia e importeve për mishin e konservuar, që gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti shënuan nivele të ulëta deri në 520 kv", - theksuan burime nga dikasteri i Bujqësisë. Sipas specialistëve, nga viti në vit është rritur ndjeshëm plotësimi i nevojave të konsumatorëve me mish të freskët vendi (deri ne 97 %), por në muajt e verës vihet re se për shkak të rritjes së fluksit të turistëve, emigrantëve dhe vizitorëve në vendin tonë, ka dhe një rritje të kërkesës për mish dhe nënproduktet e tij.

Transporti i mallrave përmes postës, 50% më i lirë se tregu aktual

Posta Shqiptare ka vënë në funksion të qytetarëve shërbimin e ri për transportin e mallrave në të gjithë Shqipërinë, një transport që kushton 50% më lirë se tregu aktual i transportit të mallrave. Burime nga Posta Shqiptare bënë të ditur se transporti i mallrave është një shërbim i ri, i cili kryhet për çdo qytetar apo kompani me një tarifë 60 lekë për kilometër, ose 50% më ulët se tregu. Për këtë shërbim, posta ka vënë në dispozicion 100 mjete transporti me kapacitet nga 500 deri në 1200 kg, ndërsa ai kryhet në pak orë brenda ditës nga marrja e porosisë. Posta Shqiptare është operatori publik postar me potencialin më të madh në vend me burime të fuqishme ekonomiko-financiare, me një rrjet prej 547 zyrash postare dhe linjash transporti që mbulon të gjithë territorin e vendit dhe mbi të gjitha me një eksperiencë të konsoliduar në fushën e marrëdhënieve me klientët dhe shërbimet në interes të tyre. Posta Shqiptare merr përsipër transportin e mallrave të ambalazhuara në koli deri 20 kg, secila me vetëm 120 lekë, ku përfshihet gjatësia, gjerësia dhe lartësia e kolisë. Grafiku i lëvizjes së automjeteve të transportit realizohet çdo ditë nga e hëna në të diel, aktualisht në 118 ndalesa, të cilat deri në fund të vitit 2008 do të bëhen 260 ndalesa në të gjithë Shqipërinë.

Norma e bazë e interesit, BSH diskuton për ndryshimet

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (BSH), pritet të diskutojë javën e ardhshme “Mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare", duke ju referuar kalendarit të mbledhjeve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë publikuar në faqen e internetit të BSH-së. Në këtë faqe njoftohet se gjatë kësaj mbledhjeje Këshilli Mbikëqyrës do të marrë dhe vendimin mbi politikën monetare, çka presupozon ndryshimin ose jo të normës bazë të interesit, në vartësi kjo të zhvillimeve të fundit ekonomike në vend dhe botë. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe politika monetare e saj do të jetë e orientuar drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve, në përputhje me objektivin e saj. Burime nga BSH-ja bënë të ditur se nga informacioni i deritanishëm, rezulton se faktorët e kërkesës së brendshme me natyrë nxitëse ndaj presioneve inflacioniste në ekonomi, janë më të balancuar. Megjithatë parashikimet e Bankës së Shqipërisë për muajt në vijim, evidentojnë se rreziqet inflacioniste janë ende të pranishëm në periudhën afatmesme, veçanërisht në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe mundësisë për shfaqjen e efekteve në një kohë të mëvonshme. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë do të monitorojë me kujdes të veçantë çdo informacion dhe zhvillimet në javët në vijim, bënë të ditur burime nga BSH

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›