E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët rrisin shpenzimet për veshje, kursejnë shëndetin



Raporti i INSTAT-it detajon shpenzimet e familjeve

Ushqimi zë gjysmën e konsumit, vetëm 5 % shkojnë në restorant

Shqiptarët shpenzojnë të ardhurat e tyre ndryshe nga vendet e tjera evropiane. Një raport i Institutit të Statistikave detajon mënyrën se si shpenzohen të ardhurat mujore të një familjeje mesatare në vend. Ky raport vëren se ushqimi mbetet në vend të parë, duke zënë 47 për qind të të ardhurave mujore. Raporti evidenton se ndërsa janë rritur shpenzimet e shqiptarëve në zëra të tilla si veshje, apo komunikim, duket se janë ulur ato të kujdesit shëndetësor. Në rast se flitet për shpenzime për të mirëmbajtur veten, duket se veshjet zënë vendin e parë. Një familje normale 68 për qind të parave që ka përcaktuar për të shpenzuar për mirëmbajtje i shpenzon për veshje. Raporti thekson se kanë rënë shpenzimet për këpucë dhe akoma më shumë ato për kujdesin ndaj shëndetit.

Një tjetër detaj flet se qytetarët shqiptarët po i kushtojnë kujdes edhe shpenzimeve për mobilim apo mirëmbajtjes së banesës. Gjithnjë e më shumë kërkohet të realizohet një ndryshim në shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, ku vihet re tendenca e ndryshimit. Kjo tendencë është shprehur përmes artikujve joafatgjatë, ose artikujve që përcaktohen si tendencat e modës në arredimin e shtëpive. Në total, për sa u përket shpenzimeve mobilim, ndryshimet dhe artikujt jojetëgjatë zënë rreth 60 për qind të totalit të këtyre shpenzimeve në grup.

Raporti

Sipas raportit, në grupin e ushqimeve peshën më të madhe e zë shpenzimi për mish dhe nënprodukte të tij, që përbën rreth 22.5 për qind të buxhetit të një familje. Më pas, shpenzimet dallohen për produktet si veza, qumështi etj., të cilat zënë 16.1 për qind brenda këtij grupi. Nga ana tjetër, shpenzimet për bukë apo për produkte drithërash, harxhohet 15.5 për qind të buxhetit të ushqimeve, kryesisht të pasuara nga nëngrupet si perime që zënë 14 për qind të grupit kryesor. Shpenzimet për fruta zënë rreth 8.8 për qind të gjysmës së shpenzimeve që ka një familje për ushqimin. Ndërsa për pije alkoolike dhe duhan rezulton se në familjet shqiptare konsumohet rreth 4.3 për qind e buxhetit, ku duhani zë peshën kryesore prej 50.6 për qind. Vihet re se në zonat urbane shpenzimet për konsum jashtë shtëpisë, si në fast-food, bar dhe hotele dhe restorante, zënë një shifër prej 5 për qind të buxhetit të familjeve shqiptare. Krahasuar me anketimin e bërë në vitet 1999-2000, evidentohet përhapja e përdorimit të telefonisë celulare, ku shpenzimet për grupin “komunikim” zënë rreth 92.55 brenda grupit. Vihet re një tjetër shpenzim, ai për internetin. Shqiptarët përdorin 7.45 për qind të shpenzimeve për ujë, energji, qira për banesa, prej të cilave 44 për qind janë për energjinë elektrike, 27.4 për qind për ngrohje etj. Zona e Tiranës zë vendin e parë për nivelin e shpenzimeve, krahasuar me 12 qarqet e tjerat. Sipas anketimeve, rezulton se një familje në kryeqytet harxhon mesatarisht 83.800 lekë në muaj. Ndërsa nivel më i ulët i shpenzimeve vihet re në Dibër dhe Berat, me 54 mijë lekë në muaj.

Turizmi rrit valutën në ekonominë shqiptare

Turizmi në Shqipëri aktualisht përfaqëson aktivitetin me prurjet më të larta në valutë për ekonominë shqiptare. Duke iu referuar vlerësimeve të ekspertëve nga Banka e Shqipërisë, eksporti në turizëm pritet të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme gjatë këtij viti, të cilat parashikohen të jenë më të larta se viti i kaluar. Kjo nisur nga fakti i influencës në rritje, kryesisht nga rritja e numrit të shtetasve të huaj dhe e emigrantëve që kanë vizituar vendin tonë, koeficienti i shpenzimeve ditore dhe ai i ditëqëndrimit të tyre. Në raportin e vitit të kaluar të Bankës së Shqipërisë, evidentohet fakti se në vitin 2007 sektori i turizmit gjeneroi rreth 754 milionë euro flukse të ardhurash, një vlerë kjo rreth 28 për qind më e lartë se vlera e eksporteve të mallrave. Rritja vjetore e të ardhurave nga turizmi vlerësohet në rreth 23 për qind. Ndërkohë, gjithnjë sipas raportit të BSH-së, një vit më parë shqiptarët shpenzuan në udhëtimet e tyre jashtë shtetit rreth 700 milionë euro. Vëllimi i shpenzimeve për udhëtime për vitin 2007, vlerësohet rreth 20 për qind më i lartë krahasuar me një vit më parë.

Forcohet leku ndaj euros, rritet edhe monedha e gjelbër

Gjatë javës që pasoi, leku vazhdoi të reflektojë dobësim kundrejt monedhës së gjelbër amerikane, ndërsa po forcon pozitën e tij në kursin e këmbimit me euron. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fillim të javës 1 dollar u këmbye mesatarisht me 80.5 lekë, duke shtuar 0.52 pikë, ndërsa në fund të javës me 79.98 lekë, ose 0.87 pikë më shumë. Kurse euro u këmbye mesatarisht me 121.16 lekë në fillim të javës me një rënie prej 0.04 pikë dhe në fund të saj me 121.11 lekë ose me një rënie prej 0.11. Pas një triumfi gati dyvjeçar në këmbimin me valutat kryesore të botës, monedha e përbashkët euro po shënon ditët e fundit humbje të madhe të pikëve në këmbim me dollarin në këto tetë vitet fundit në tregjet ndërkombëtare. Nga të dhënat e Bankës Qendrore rezulton se gjatë kësaj jave leku ka paraqitur qëndrueshmëri dhe ndaj valutave të tjera, një situatë e favorizuar nga efektet e sezonit veror, që pritet të ndikojë në forcimin e lekut deri në mesin e muajit shtator. Çmimet e naftës, metaleve etj., kanë pësuar rënie me forcimin e pozitave të dollarit në kursin e këmbimit ndërkombëtar. Një fuçi me naftë është shitur dje në tregjet ndërkombëtare 115 dollarë nga 117 që ishte një ditë më parë. Gjatë një dite çmimi i euros në këmbim me dollarin ka pësuar një rënie 1.9 për qind. Ekspertët shpjegojnë më së fundi se rënia e euros do të kthejë edhe njëherë vëmendjen nga dollari dhe se politikëbërësit, përveç çmimeve duhet të kthejnë vëmendjen edhe nga rritja ekonomike. Gjatë sezonit veror, që përkon me ardhjen e mijëra emigrantëve dhe turistëve nga Kosova e Maqedonia për të kaluar pushimet në Shqipëri, vlerat e valutave në këmbimin me lekun bien. Uljen më të ndjeshme e pëson euro, pasi pjesa kryesore e të ardhurave në këtë periudhë vijnë nga shtete të eurozonës. Nga ana tjetër, blerja më lirë e valutave kryesore nga biznesi, veçanërisht e euros, pritet të ndikojë në uljen e çmimeve të mallrave të importit për periudhën në vazhdim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›