E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i OSSH-së merr OK e qeverisë

Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është shpallur dje i realizuar. Deklarata është dhënë nga kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së radhës së qeverisë, ku tashmë është shpallur fituese kompania çeke “CEZ”, e cila mbeti e vetme në garën e tenderimit të OSSH-së. Në fakt, kryeministri ka thënë dje, se çekët kanë ofruar plot 102 milionë euro, ose më shumë se dyfishi i vlerës reale të OSSH-së, vlerësim ky i bërë nga ekspertë vendas dhe të huaj. Por në fakt, mjaft ekspertë vendas e kanë hedhur poshtë privatizimin e nxituar të një prej sektorëve më strategjikë të vendit tonë, ndërkohë që e kanë quajtur atë si vendim politik, për të mënjanuar përgjegjësitë e qeverisë edhe për një vit tjetër kolapsi kufizimesh. Por duket se tashmë privatizimi i realizuar de fakto dhe de juro, ashtu sikurse e cilësoi edhe dje Berisha, përbën një histori të vërtetë suksesi në historinë e kësaj qeverie. “Privatizimi i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë në Shqipëri është një histori e plotë suksesi. Sipas ekspertëve vendas dhe atyre rajonalë të tregut të kompanive të shpërndarjes, ky është një nga privatizimet më të suksesshme. Fituesi i kësaj gare, të përgatitur me kujdes nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, apo dega tregtare e Bankës Botërore prej më se një viti e gjysmë punë, rezulton të jetë kompania çeke “CEZ”, me traditë, eksperiencë dhe me financa shumë të fuqishme. Interes treguan një seri kompanish, por garën e fitoi kompania çeke me 102 milion euro”, tha dje kryeministri Berisha.

Çekët marrin përsipër borxhet

Në fakt, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes trashëgon ndër vite një sërë borxhesh të mbartura në formën e kredive të marra nga banka të ndryshme, që kryesisht kanë shërbyer për përmirësimin e linjave dhe ngritjen e nënstacioneve me parametra optimalë.  Por vlera e borxhit duket se është e konsiderueshme, ndërkohë që sipas Berishës, ky borxh do të merret përsipër të shlyhet nga pronarët e rinj. “Borxhi prej 17 miliardë lekësh që kjo kompani ka kredi të marra, do të paguhet nga pronari i ri. I nisur vite e vite më parë, për qeveritë e mëparshme privatizimi i KESH-it u bë si vega e Penelopës, ndërsa kjo qeveri vendosi dhe realizoi një privatizim plotësisht të suksesshëm”, theksoi Berisha, duke ironizuar qeverisjen e të majtëve. Kryeministri qartësoi se sipërmarrja e shpërndarjes së energjisë elektrike përfshin kabinat dhe nënkabinat, sportelet e pagesave dhe nënstacionet e vegjël, ndërsa nënstacionet e mëdhenj e të mesëm dhe linjat e transmetimit mbeten publike.

Privatizimi i KESH-it

“Me privatizimin e KESH-it mbyllet seriali i privatizimeve të sipërmarrjeve të mëdha shtetërore,  të cilat, duhet ta pranojmë, kanë qenë të shndërruara në korporata thellësisht problematike në menaxhim dhe palcërisht të korruptuara. Duke i kaluar në pronësi e menaxhim privat, nuk ka mëdyshje se shërbimet ndaj qytetarëve shqiptarë përmirësohen ndjeshëm”, u shpreh kryeministri.

  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›