E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në sulm

Vukçeviç u vërsulet autoriteteve shqiptare: Berisha urdhëroi shërbimet sekrete për të shkatërruar dokumentet mbi serbët e Kosovës

BEOGRAD - Pasi dështoi në misionin e tij për gjetjen e fantazmave, prokurori serb i krimeve të luftës, Vladimir Vukçeviç, nxitoi të fusë në lojë politikën dhe organizmat ndërkombëtarë, si i vetmi justifikim për ndërmarrjen e tij të pashpresë. Teksa shefat e tij në Beograd prisnin “rezultate pozitive”, që do të shërbenin si armë e fortë për njollosjen e imazhit të Kosovës dhe Shqipërisë, Vukçeviç kthehet në shtëpi zhgënjyes dhe nis sulmin ndaj autoriteteve shqiptare. Dy ditë pas takimit me kryeprokuroren Ina Rama, (kohë kjo ndoshta e pamjaftueshme për të mirëmenduar lëvizjen e radhës), prokurori serb thotë se Shqipëria po e përdor çështjen politikisht dhe për këtë arsye Beogradi zyrtar do të ankohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Këshillin e Evropës. Mediat serbe raportojnë se autoritetet e këtij vendi kanë nisur një betejë ligjore dhe institucionale me autoritetet shqiptare, të cilat zyrtarisht thonë se pretendimet e ish-prokurores së Hagës janë rrëzuar nga vetë hetuesit e Hagës në vitin 2005. Po përtej fakteve zyrtare, Vukçeviç pretendon se në këtë çështje është përzier politika dhe kryeministri aktual i Shqipërisë, Sali Berisha.

Sipas agjencisë serbe të lajmeve “Beta”, e cila citon deklaratat e prokurorit për krime lufte në disa media vendase, bëhet me dije se të paktën 300 serbë janë rrëmbyer nga UÇK-ja dhe janë dërguar në zonën veriore të Shqipërisë, ku pasi u janë hequr organet, janë varrosur në varre masive. Sipas tij, kjo çështje duhet të hetohet nga autoritetet shqiptare ose nga institucionet ndërkombëtare, duke zhvlerësuar me dy fjalë hetimin e realizuar në vitin 2005 nga hetues të Gjykatës së Hagës dhe prokurorë shqiptarë, të cilët bënë verifikimet e nevojshme në terren. Vladimir Vukçeviç shkon më tej me deklaratat e tij, duke akuzuar drejtpërdrejt politikën shqiptare dhe atë kosovare. “Kryeministri Sali Berisha urdhëroi shërbimet sekrete për të shkatërruar dokumentet mbi serbët e Kosovës, transportimin e tyre në Shqipëri dhe më pas trafikun e organeve”, - mësohet të ketë thënë Vukçeviç. Prokurori i njohur tashmë për “kapjen” spektakolare të të shumëkërkuarit Radovan Karaxhiç, i cili jetoi i qetë për 13 vite me radhë në qendër të Beogradit, deklaroi se “ne kemi arritur në një konkluzion, që politika luajti një rol shumë sinjifikativ në fshehjen e krimeve që u bënë kundër serbëve dhe jo shqiptarëve në Kosovë. Libri i Karla del Pontes është padyshim një dëshmi e pakëndshme për Shqipërinë”. Duke injoruar çdo deklaratë dhe përfundim zyrtar për çështjen, prokurori serb thotë se “bota duhet të dijë se çfarë ndodhi në veri të Shqipërisë”. Njëkohësisht me Vladimir Vukçeviçin kanë reaguar dhe zyrtarë të tjerë serbë, të cilët kanë deklaruar se e vetmja zgjidhje që shohin për këtë çështje, janë institucionet ndërkombëtare. Sekretari i Shtetit në Ministrinë serbe të Drejtësisë, Slobodan Homen, tha për radion “B92”, se Beogradi zyrtar do t’i paraqes prova Këshillit të Evropës, i cili do t’i kërkojë Shqipërisë të shpjegojë vendimin e marrë. Ndërsa zëdhënësi i prokurorit të krimeve të luftës, Bruno Vekariç, tha se “Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama, nuk kishte pasur kohë as të shikonte materialet”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›