Degët më të frekuentuara, tarifa më të ulëta

Pagesa e studimit në programet master i nivelit të parë dhe të dytë do të bëhet në bazë të vështirësisë dhe kërkesave. Degët e mësuesisë, të cilat kanë kërkesat më të larta nga ana e studentëve, do të kenë tarifa më të ulëta
TIRANË - Me qindra studentë janë në pritje të listave që do të përcaktojnë fituesit e programeve të studimit të ciklit të parë dhe të dytë. Dje ka qenë dita e fundit e pranimit të dosjeve individuale, të cilat kandidatët i kanë paraqitur pranë sekretarive të fakulteteve përkatës. Për sa i përket pagesës së shkollimit, degët më të frekuentuara do të jenë ato që do të kenë tarifat më të ulëta. Universiteti i Tiranës ka çelur në mbi 50 degë programet e studimit master i nivelit të parë dhe nivelit të dytë, ku në secilën prej degëve janë akorduar me vendim të qeverisë nga 20 deri 150 vende. Për pranimet e kandidatëve në këto programe studimi nuk do të ketë asnjë kriter, përderisa numri i kandidatëve nuk e kalon atë të kuotave të përcaktuara. Në qoftë se numri i studentëve që duan të vazhdojnë studimet për master do të jetë më i lartë nga numri i pranimeve, atëherë kandidatët do të përzgjidhen në bazë të mesatares së notave të shkollës së lartë. Për sa i përket tarifës së shkollimit në këto programe studimi, e cila në fillim u caktua 150 mijë lekë të reja me propozim të universiteteve, me vendim të qeverisë ajo është ulur rreth 50 deri 60 për qind. Por tarifat nuk do të jenë njëlloj për të gjithë fakultetet, pasi ato do të ndryshojnë në varësi të vështirësisë apo numrit të frekuentimit të fakultetit. Sipas dekanit të fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, fakultetet do të aplikojnë tarifa të ndryshme nga njëri-tjetri, të cilat do të shkojnë nga 40 deri në 70 mijë lekë të reja. Për degët të cilat do të jenë më të frekuentuarat, tarifa që duhet të paguajë një student do të jetë 48 mijë lekë të reja. Kjo tarifë është e akorduar në pjesën më të madhe për masterat e nivelit të parë. Ndërsa për sa u përket degëve, baza e studimit e të cilave është më e vështirë, tarifa e studimit do të jetë 72 mijë lekë të reja. Këto tarifa u vendosën nga qeveria dhe Ministria e Arsimit, me qëllim që pagesa e shkollimit të mos rëndonte shumë në xhepat e studentëve. Ky ndryshim i tarifave erdhi edhe si pasojë e reagimeve të studentëve për tarifën shumë të lartë që vendosën në fillim universitetet, e cila shkonte deri në 150 mijë lekë të reja. Sa i përket degëve, në të cilat kërkesat për të vazhduar studimet kanë qenë më të larta se në degët e tjera, ato u përkasin degëve të Mësuesisë, Gjuhë-Letërsisë dhe Gjuhëve të Huaja në fakultetin e Histori-Filologjisë. Sipas dekanit Rrokaj, tarifa për këto degë do të jetë 48 mijë lekë të reja. Ndërsa për sa u përket degëve me bazë studimore më të vështirë, si për shembull Arkeologjia, e cila është një degë mjaft e lakmuar, Informatika apo degët e tjera inxhinierike, do të kenë një tarifë shkollimi prej 72 mijë lekësh të reja.