E Shtunë, 31 Tetor 2026

1000 euro, moment dobësie

Shefki Gjata: Kërkova ryshfet, por e kisha për herë të parë

TIRANË - “Është e vërtetë që kërkova para. Por isha në një moment dobësie. Kam qenë gjithmonë shumë korrekt në punën time”. Me këto fjalë pendese ka nisur rrëfimin e tij 54-vjeçari Shefki Gjata, specialisti i prokurimeve i arrestuar dy ditë më parë për korrupsion pasiv. Burime të besueshme policore bënë të ditur dje për “Korrierin”, se punonjësi i Ministrisë së Brendshme, njëkohësisht dhe bashkëshorti i një punonjëseje policie në Policinë e Shtetit, i kishte kërkuar me anë të presionit 1 mijë euro firmës së ndërtimit “Bregu i fildishtë”, e cila mund të merrte në dorë rikonstruksionin e shtëpisë së pushimit vetëm nëse “falej” më parë me eurot tek i arrestuari.

Momenti i arrestimit 

Rreth pasdites së pardjeshme, në afërsi të stadiumit “Dinamo”, brenda një makine të parkuar diku pranë hyrjes kryesore po bëhej shkëmbimi i eurove. 54-vjeçari Gjata, pas presioneve të bëra ndaj firmës së ndërtimit, kishte mundur të caktonte edhe takimin final që do ta çonte drejt marrjes së ryshfetit. Por hetimet e nisura ndaj tij pas kallëzimit penal që pronari i kësaj firme kishte bërë në zyrat e Antikrimit Financiar, kishte bërë që i gjithë çasti i shkëmbimit të parave me “nderin” të ishte nën vëzhgimin e specialistëve policorë që ishin marrë prej disa javësh me këtë çështje. Të bërë gati për t’i vënë prangat specialistit të prokurimeve, ata kanë pritur fillimisht marrjen e parave nga vetë Gjata, dhe me të arritur në këtë pikë kanë realizuar dhe arrestimin, duke i komunikuar atij njëkohësisht edhe akuzën për të cilën po arrestohej.

Deklarata

Sipas burimit, thuhet se 54-vjeçari nuk e kishte menduar aspak arrestimin dhe është habitur pa masë kur efektivët i kanë vënë prangat dhe e kanë hipur në makinë, për ta çuar më pas në ambientet policore, ku i janë marrë deklaratat paraprake menjëherë pas arrestimit. Krejtësisht i penduar dhe i lodhur nga ajo që kishte ndodhur, i vënë gjithashtu para provave të pakontestueshme që ekzistonin, Gjata mësohet të ketë pranuar akuzën e ngritur. Ai ndërkohë ai ka theksuar se kurrë më parë nuk kishte marrë lekë nga askush, por i gjendur në një moment dobësie, kishte arritur ta bënte atë veprim. Dy ditë më parë, Policia e Shtetit, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, tha se kishte vënë në pranga  54-vjeçarin Shefki Gjata, pasi u kap në flagrancë duke i marrë firmës së ndërtimit që po ristrukturonte një pjesë të shtëpisë së pushimit shumën prej 1 mijë eurosh. Gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar se ai, duke përfituar nga detyra, i ka bërë presion firmës së ndërtimit që kishte rikonstruktuar një godinë të shtëpisë së pushimit se nuk do të marrë në dorëzim objektin e rikonstruktuar, pa marrë më parë një ryshfet. Ndaj tij rëndon akuza për konsumim të veprës penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›