Patozi: Nuk shmangim strukturat

Kryetari demokrat që do të drejtojë negociatat për shkrirjen e PDR-së, thotë se gjithçka do të ndiqet hap pas hapi dhe se do të diskutohet në strukturat përkatëse
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, njëkohësisht edhe kryetar i grupit të punës që do të merret me shkrirjen e Partisë Demokrate të Re, Astrit Patozi, deklaron se në këtë proces nuk do të shmanget asnjë strukturë e PD-së. Patozi thotë për “Korrierin”, se shumë shpejt do të nisin edhe diskutimet në strukturat e Partisë Demokratike për sa i përket vendimit për ardhjen e reformatorëve të larguar 9 vite më parë në Partinë Demokratike. Pavarësisht insistimeve, Patozi nuk nxitohet që të deklarojë sesi do të ndodhë shkrirja e partive dhe çfarë postesh do të marrin reformatorët Genc Pollo dhe Tritan Shehu, duke thënë se “gjithçka do të ndiqet hap pas hapi” dhe se dje ishte vetëm shprehja e vullnetit për të filluar procesin e shkrirjes. Ndërkaq, diskutimi për shkrirjen e PDR-së në PD ka ngjallur jo pak reagime negative, por edhe pozitive në kampin e demokratëve. Drejt shkrirjesQë nga dita e djeshme, Partia Demokrate Reformatore mund të thotë fjalën “shkrirje” me plot gojën, dhe kjo në sajë të zyrtarizimit të kësaj lëvizjeje politike. Dy kryetarët e partive, Sali Berisha dhe Genc Pollo, zyrtarizuan nisjen e procesit të shkrirjes mes dy partive, duke deklaruar se kanë harruar vitet e “luftës” dhe të ndarjeve mes tyre. Pavarësisht insistimit të medias, Berisha tha dje, se për këtë proces nuk kishte asnjë pakënaqësi, “duke harruar” deputetët e tij, të cilët me emër dhe pa emër i kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre nëpërmjet deklaratave. Megjithatë, ashtu sikurse tha dje Berisha, të gjitha harrohen. Ndërkohë, në dokumentin që u shpërnda dje nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ritvan Bode, shpjegohej edhe mënyra sesi do të zhvillohej procesi i shkrirjes së PDR-së në PD. Kjo marrëveshje, referuar edhe faktit se data është korrigjuar, pasi data fillestare e dokumentit është 27 tetori, dhe pastaj është korrigjuar me datën e djeshme, 29 tetor, tregon se gjithçka ishte planifikuar që të bëhej dy ditë para ditës së djeshme, por që është shtyrë për shkak të axhendës politike. Marrëveshja Shkrirja e PDR-së me PD-në, sipas dokumentit që shpërndau dje sekretari i Përgjithshëm i PD-së, pritet që të përfundojë si proces i plotë në muajin e parë të vitit të ardhshëm. Po ashtu, procesi i shkrirjes do të konsiderohet i përfunduar pas momentit të zgjedhjeve të reja, pikë në të cilën lihet të kuptohet se reformatorët, edhe në sajë marrëveshjes, do të bëhen pjesë e kandidimeve në PD. Po ashtu, emri i Pollos ka nisur prej pak kohësh të përflitet në radhët e PD-së si një nënkryetar i mundshëm i saj, apo për një post tjetër të rëndësishëm të PD-së. Po ashtu, marrëveshja parashikon që bashkimi do të shtrihet në të gjitha strukturat e partive, duke nisur që nga baza deri tek qendra. Ndërkohë, parashikohet që degët në të gjithë rrethet të nisin menjëherë shkrirjen e tyre, proces i cili do të shkojë paralelisht me zgjedhjet e reja në PD, ku ky proces do të udhëhiqet nga kryetarët e grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Tritan Shehu. Bashkëkryetarët e grupit të punës, Patozi dhe Shehu, do të përcaktojnë bashkë me grupin e punës të gjitha detajet teknike që lidhen me bashkimin, si dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet në parti dhe zgjedhjet parlamentare.