E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patentat, marrëveshja me Italinë e filluar që në 93

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste ka akuzuar Qeverinë për gënjeshtra të njëpasnjëshme që po i bën popullit shqiptar, pasi marrëveshja e nënshkruar gjatë vizitës së ministrit italian të Punëve të Jashmte për njohjen dypalëshe të patentave është iniciuar vite më parë. Sipas PS-së, kjo marrëveshje është shkruar për herë të parë në vitin 1993, por për shkak të mungesës totale të sigurisë që paraqisnin institucionet shqiptare, ajo u pezullua nga pala italiane. “Mungesa e sigurisë ka bërë që për vite të tëra të ishte i pamundur që të rinegociohej me palën italiane. Në vitin 2000, gjatë bisedimeve të komisionit dypalësh, më në fund u arrit që të negociohej me palën italiane, dhe kërkesa e tyre për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit konsistonte në miratimin e një modeli të lejes së drejtimit nga pala shqiptare me elemente sigurie, gjë që u realizua që në vitin 2004. Kjo histori duhet të kishte përfunduar maksimumi që në vitin 2006. Pra si edhe ne rastin e mjaft marrëveshjeve të tjera, për shkak të paaftësisë së kësaj qeverie, edhe në këtë rast është akumuluar një vonesë të paktën prej 3 vitesh”, - tha deputeti socialist Besnik Derivshi. Madje, sipas tij, Qeveria shqiptare shet si arritje dhe atë që është sanksionuar në Kodin Rrugor Italian, e drejta e shtetasve të huaj për të përdorur patentën e shtetit të origjinës deri në një vit. Madje, ai sqaron se edhe konvertimi nuk bëhet në mënyrë automatike, por shtetasit shqiptarë përsëri do të detyrohen të japin provimin kur vetë Kodi Rrugor italian e lejon regjistrimin si nëpërmjet autoshkollave, ashtu edhe në mënyrë individuale. Sipas tij, ajo që anashkalohet dhe që është një situatë që ripërsëritet dy vitet e fundit, kur për vite të tëra konsiderohej një çështje e zgjidhur, është mungesa e autorizimeve për mjetet e transportit të mallrave për në Itali. “Është kjo neglizhencë e institucioneve shqiptare që penalizon dhe rrit kostot e mjaft subjekteve ekonomike dhe shoqërive të transportit, duke i lënë ato edhe deri krejtësisht pa punë”, - tha ai. Argumentet e Dervishit janë kundërshtuar nga PD. Zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani, tha se në vend që të përshëndeste këtë arritje, për hir të atyre shqiptarëve që jetojnë sot në Itali, Rama nuk e la pa e sulmuar edhe këtë marrëveshje, që është arritja më e madhe dhe më konkrete e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ky lajm është publikuar: 31/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›