E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i truallit, Kuvendi miraton ligjin

Autori i Lajmit: Redaksia
Kuvendi miraton projektligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”. Gjatë diskutimeve të djeshme në seancë plenare nuk janë marrë parasysh kontestimet e deputetit Eduart Halimi. Sipas tij zbatimi i këtij ligji sipas parashikimit të Ekzekutivit do të pengojë ndërhyrjen në banesë në rast të dëmtimeve natyrale si nga tërmeti, zjarri etj. “këto subjekte që kanë ndërtuar me leje duhet të kenë të njëjtën trajtim si ata që kanë ndërtuar pa leje duke u dhënë e drejta që të blejnë truallin poshtë banesës dhe oborrin funksional në mënyrë individuale por kjo shitje të bëhet me kusht që për 50 vjet mos ndryshojnë destinacionin. Kjo shitje me kusht është parashikuar dhe në Kodin Civil. Në këtë mënyrë ne zgjidhim të dyja problemet, edhe subjektet paguajnë paratë por bëhen pronarë me të drejta të plota njëlloj si subjektet e tjera dhe qeveria zgjidh shqetësimin për të eliminuar mundësinë e ngritjes së pallateve”, - tha ai. Ai propozoi gjithashtu se në rast mospagese nuk duhet të prishet banesa por të ndryshojë qiradhënësi nga shteti te një pronar tjetër. Ndërkohë që Ministria e Drejtësisë e cila ka propozuar ligjin mendon se duhet të bëhet kalimi në pronësi individuale i godinës së banesës pra muret dhe çatia dhe në bashkëpronësi të truallit poshtë godinës, themelet e oborrit dhe pjesëve të përbashkëta duke paguar poseduesi 80 për qind dhe sipërmarrësi 20 për qind. Kjo sipas qeverisë e vetmja për të ndaluar zëvendësimin e godinave me pallate. Por asnjë nga propozimet e Halimit nuk u mor parasysh dhe ligji kaloi vetëm me ndryshimet e bëra në Komisionin e Ligjeve. Sipas këtyre ndryshimeve të bëra pronarët e truallit në zonat turistike kanë 6 muaj afat për të paguar detyrimet e tyre ndaj shtetit në mënyrë që prona që kanë tashmë në përdorim ta ketë të tyren. Ky është ndryshimi i miratuar dje në Komisionin e Ligjeve ku u votuar nen për nen dhe në tërësi projektligji Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin”. Në nenin 17 të tij do të parashikohet që kur subjekti i interesuar ose personi i stimuluar nuk paraqet kërkesë për kalimin e truallit në pronësi dhe dokumentet e përcaktuara në nenet 4 e 5 të këtij ligji, brenda 6 muajve nga data e shpalljes së vlerës nga ALUIZNI, trualli vlerësohet i lirë dhe kalon n për llogari të kompensimit fizik të ish-pronarëve. Afatet e përcaktuara në ligj janë, fillimisht është afati 60-ditor për paraqitjen e kërkesës më pas një afat i pacaktuar për ALUIZNI-n i cili pas verifikimeve në terren cakton çmimin e truallit. Dhe pas kësaj procedure zotëruesit kanë gjashtë muaj afat për të shlyer detyrimet ndaj shtetit. Në bazë të këtij ligji dhjetëra subjekte të cilat kanë marrë me një qira, deri 99-vjeçare nga shteti, tokë për të ngritur fshat turistik, kanë vite që nuk e paguajnë qiranë dhe jo vetëm kaq, por vilat e ngritura iu janë shitur familjeve. Çmimi i shitjes ka qenë i ulët për familjet, pikërisht se ka munguar dokumentacioni. Në këto kushte, shteti detyrohet për të gjetur një mënyrë të re për përdorimin e këtij kapitali. Prandaj është vendosur që familjet që kanë blerë vilat, të paguajnë edhe vlerën e tokës. Nga ky moment këto vila do të hipotekohen dhe poseduesit do të bëhen pronarë të ligjshëm.
Ky lajm është publikuar: 06/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›