Privatizimi, mbërrijnë 4 oferta në KESH
Katër kompani kanë shfaqur interes për privatizimin e Sistemit të Shpërndarjes të Energjisë Elektrike. Zv/ministri i Ekonomisë Neritan Alibali ka bërë sot të ditur se kompanitë e paraqitura janë ENEL, EVN, CEZ dhe Enerji Shtajermark.
Të katërta janë kompani evropiane dhe janë në garë për blerjen e 76% të aksioneve të KESH. “Tenderi do të bëhet në shtator dhe do të vazhdojë edhe nëse kualifikohet vetëm një kompani” – është shprehur Alibali.
Shpallja e kompanive që kualifikohen për tenderin do të bëhet në datën 9 qershor dhe në rast ankesash, depozitimi duhet të bëhet pranë zyrës së ministrit të METE-s, Genc Ruli, brenda 5 ditëve.
enderi është i hapur ndërkombëtar në një fazë me parakualifikim. Konsulent ndërkombëtar në këtë privatizim strategjik të rëndësishëm për vendin, është IFC.Kush janë kompanite qe kane bere ofertat sot ne KESH?
Enel SPA: Gjiganti Italian i Energjisë
Kompania ENEL konsiderohet si gjiganti Italian në fushën e energjetikës, duke prodhuar dhe shitur energji elektrike dhe gaz në të gjithë Evropën, Amerikën e Veriut dhe atë Latine. ENEL SPA zhvillon aktivitet në 21 shtete me një aftësi gjeneruese që shkon deri në 75.500 MW. Kompania italiane ka 2.5 mln konsumatorë duke zotëruar kështu 10 % të tregut. Të ardhurat neto të kompanisë për vitin 2007 kapën shifrën 43.7 mld euro, ndërkohë që për periudhën 2008-2012 është planifikuar një investim deri në 7.4 mld euro. Nga aksionet e kompanisë, 21.1 % janë në pronësi të qeverisë italiane.
Austriakët e EVN AG
Kompania austriake EVN AG është një nga kompanitë që ka ofruar interesin e saj për blerjen e 76 % aksioneve të sistemit të shpërndarjes. E privatizuar në vitin 1989, u kthye në një nga kompanitë më të fuqishme austriake, duke hyrë në grupin Aleanca Energjetike e Austrisë. EVN AG, operon në fushën e energjetikës, duke mos përjashtuar edhe prodhimin e kësaj të fundit nëpërmjet erës. Austriakët kanë eskluzivitet në shpërndarjen dhe shitjen e gazit. Të ardhurat neto të kompanisë për vitin 2005 kapën shifrën 221.9 milionë euro, ndërkohë që në rreth 85 % të aktivitetit të saj kompania merret me prodhimin dhe shitjen e energjisë.
CEZ group
CEZ group është krijuar në vitin 2003 dhe kryeson listën përsa i përket fushës energjetike në Evropën Qendrore. CEZ group ka në vetvete edhe tre kompani të tjera, në Bullagri, Rumani dhe Poloni. CEZ Group plotësojnë nevojat për energji elektirke për rreth 3.5 milionë konsumatorë, në një kohë që kapacitetet gjeneruese të kompanisë shkojnë deri në 12.298 MW. Kompania ceke vepron gjithashtu edhe në dy impiante nuklearë, të cilat sollën një rritje të prodhimit të energjisë me rreth 50 %. Investimet që çekët kanë planifikuar përsa i përket 15 viteve të ardhshme shkojnë deri në 1 mld euro.
Privatizimi Privatizimi i rrjetit te shperndarjes ne KESH është një privatizim që shihet si shpresë për të rikuperuar rreth 80 milionë euro në vit humbje joteknike të KESH.
Në shitje janë 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes Sh.A., një kompani e re e sapokrijuar nga ndarja e KESH në tre kompani të ndryshme.
Kandidati për blerjen e OSSH-së duhet të ketë eksperiencë në këtë fushë, si dhe mbi 500 mijë klientë ekzistues. Ai do të ketë për detyrë të blejë energji nga KESH përmes Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe t’ia shesë atë 900 mijë konsumatorëve të këtij produkti në vend.
KESH realizon aktualisht të ardhura në rreth 200 milionë euro në vit. Të ardhurat pritet të rriten gjatë këtij viti, si pasojë e çmimeve më të larta.
Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar tarifat e ndara për prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen. Sipas ERE-s, OSSH-së i takon 2 deri në 2.6 lekë për çdo kilovat të shpërndarë.
Në Shqipëri u konsumuan gjatë vitit të kaluar rreth 3.6 miliardë kËh, duke përjashtuar vjedhjet. OSSH, vlerësohet se do të jetë në të ardhmen një kompani me të ardhura prej minimalisht 80 milionë eurosh.
Këto para rezultojnë të pamjaftueshme për mirëmbajtjen e rrjetit dhe zgjerimin e tij për të rritur cilësinë e furnizimit me energji.
Reformë ose faliment
Sipas një studimi të kryer nga konsulentët ndërkombëtarë në vitin 2001, Sistemi i Shpërndarjes ka një kosto margjinale, (për çdo kilovat shtesë të hedhur në rrjet) prej 4.1 lekësh për kËh, ose dy herë më shumë sesa tarifa ekzistuese e OST-së.
Kjo kosto nënkupton investimet që nevojiten për të zgjeruar rrjetin ekzistues të shpërndarjes dhe për të garantuar furnizim me energji elektrike të rregullt për konsumatorët ekzistues dhe ato të rinj.
KESH, ka njohur një rritje të fortë prej mbi 10% të numrit të klientëve gjatë viteve të fundit, ndërkohë që kjo rritje e klientelës nuk është shoqëruar me investimet e nevojshme për të përballuar kërkesën e re.
Privatizime të ngjashme dështojnë
Privatizimi i Sistemit të Shpërndarjes, vlerësohet nga qeveria si zgjidhje e problemit të vjedhjeve të energjisë elektrike. Por disa eksperienca të ngjashme gjatë viteve të fundit kanë dështuar. Në vitin 1995, zona e Shkodrës, ajo e Vlorës dhe Elbasanit u privatizuan pjesshëm, një proces që thjeshtë sa rriti humbjet. Por shembulli më dramatik i dështimit në shërbimet publike, është Ujësjellësi i Elbasanit.
Ndërmarrja u dha me koncesion te gjiganti gjerman i këtij sektori “Berlinëasser”, u financua me 20 milionë euro kredi nga fondet e qeverisë dhe pas kryerjes së investimit, u ble përsëri nga qeveria kundrejt vlerës simbolike të 10 mijë lekëve.
Privatizuesi nuk pati për detyrë vetëm mbledhjen e faturave të ujit, por edhe menaxhimin e investimeve për zgjerimin e kapaciteteve të furnizimit. Duket se dështoi në të dyja.
HEC-et e vegjël, një biznes fitimprurës
Vitin e kaluar, një rregullore e re për blerjen e energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e vegjël, e ktheu këtë sektor të ekonomisë në më fitimprurësin në vend.
Enti Rregullator i Energjisë miratoi një çmim joshës prej 6.5 lekësh për kËh, çmim që merr për referencë mesataren e çmimit të importit të KESH.
Metodologjia e mëparshme, e cila vijon të zbatohet për hidrocentralet e privatizuara ose të dhëna me koncesion më herët, kalonte përmes procedurave burokratike të analizës së kostos dhe konceptit të “normës referuese të fitimit”. Edhe me metodologjinë e mëparshme, HEC-et e vegjël qenë shumë fitimprurës.
Dje, Avokati i Prokurimeve, një institucion i ri pa funksione vendimmarrëse, dorëzoi një raport në Kuvend, duke njoftuar se ankimet kryesore që kanë mbërritur aty, lidhen me procedura të tejzgjatura në licencimin për ndërtimin e hidrocentraleve të reja.
Më herët, kompanitë e interesuara për këtë treg, ose ato që operojnë sakaq, qenë ankuar te Autoriteti i Konkurrencës për diskriminimin tarifor të zbatuar mes operatorëve të mëhershëm dhe operatorëve të rinj. Tregu i prodhimit privat të energjisë elektrike, arriti gjatë vitit të kaluar në rreth 5 milionë dollarë. Ai përbën ende vetëm në 2% të totalit të tregut, megjithatë, pritet që në vitin e ardhshëm, në treg të hyjnë disa dhjetëra operatorë të rinj e për pasojë, sasia e parave që KESH do të paguajë për prodhuesit e vegjël, do të rritet ndjeshëm.
KESH del me humbje
Termocentralet e vegjël nuk janë një zgjidhje strategjike për krizën energjetike në Shqipëri. Në rastin më të mirë, ato do të furnizojnë vetëm një pjesë shumë të papërfillshme të energjisë së konsumuar. Por ndërkohë, tarifa favorizuese prej 6.5 lekësh për kËh, nënkupton humbje financiare për KESH.
Korporata, e cila e shet energjinë me çmim mesatar prej 8.45 lekësh, do të dalë me humbje në blerjen e energjisë nga prodhuesit e vegjël, humbje që mund të shkojnë në dhjetëra milionë euro në vit. Situata bëhet më e papranueshme, duke marrë parasysh faktin se hidrocentralet kanë kosto shumë të ulët të prodhimit dhe se subvencionimi i tyre, është krejtësisht i pavend.
Në vendet europiane si Gjermania, qeveria subvencionon prodhimin e energjisë me burime alternative si energjia eolike apo ajo diellore, por këto lloj energjish kanë kosto shumë herë më të larta sesa burimet konvencionale. Në Shqipëri po subvencionohet një burim konvencional që ka kosto reale shumë të ulët, konkurron me kostot e termocentraleve bërthamore.
Problemet në licencim
Sipas legjislacionit aktual, kompanitë që kanë një ide se ku mund të ndërtohet një termocentral i ri, paraqesin idenë pranë autoriteteve.
Qeveria hap një tender për ndërtimin e hidrocentralit, idenë për të cilën e ka dhënë kompania private. Kompania private fiton disa pikë më shumë se konkurrentët në tender, për shkak të idesë.
Në total, nga të dhënat ekzistuese, nuk ka informacion që deri më sot, tenderin ta ketë fituar një kompani e ndryshme nga idedhënësi, duke e kthyer konkurrimin në një procedurë formale.