E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prizreni, fitues i turneut “Bajrami 2006”

Nga Ejup LLUMNICA

Organizuar nga Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim, me ndeshjet finale të zhvilluara në palestrën sportive "Eurosporti" në Bardhosh, pikërisht në ditën e parë të Fiter Bajramit, ka përfunduar turneu "Kupa e Bajramit 2006" në futboll të vogël. Ky turne, i pari i këtij lloji, është zhvilluar në katër rajone, ku janë përfshirë 90 ekipe: Prishtina 28 ekipe, Podujeva 22, Prizreni 20 dhe Skënderaj 20. Për pjesën finale janë kualifikuar Prishtina, Prizreni, Podujeva dhe Skënderaj, por kjo e fundit mungoi pa ndonjë arsye. Kështu, në ndeshjet finale u ballafaquan Prishtina, Prizreni dhe Podujeva. Epiteti i më të mirit me plot meritë i takoj Prizrenit me dy fitore. Në ndeshjen e parë Prizreni mundi Podujevën me rezultat 3:1. Ndërsa, në ndeshjen e dytë të pjesës finale, Prizreni bindshëm mundi Prishtinën me rezultat 4:0. Vendi i dytë i takoi Podujevës, e cila ishte më e mirë se Prishtina, duke e mundur me rezultat 6:1. Takimet e pjesës finale i drejtuan gjyqtarët Bajram Krasniqi dhe Shemsi Humolli të Prishtinës. Lojtari më i dalluar në këtë turne ishte Valdet Pinaj i Prizrenit me 6 gola të shënuar në pjesën finale. Kupën kapitenit të Prizrenit, Xhelil Gashi, ia dorëzoi Nehat Dervishi, përgjegjës i departamentit për zhvillim në kuadër të Asociacionit për Kulturë dhe për Arsim. Sipas Sabri Makollit, zëdhënës i këtij turneu, kjo garë në të ardhmen pritet të jetë tradicionale dhe do të mbahet për nder të Fiter Bajramit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›