Këmba e Lalës lë pa ndeshje ndërkombëtare Xhonsin

Altin Lala ndodhet në Durrës për të udhëhequr Shqipërinë në miqësoren kundër Lihtenshtejnit (të mërkurën, më 20 gusht), por një ndërhyrje e mesfushorit shkatërrues të Hanover 96 kundër Zhermën Xhons në ndeshjen Shalke 04-Hanover 96 (3-0), i ka hequr këtij të fundit mundësinë për të luajtur të mërkurën me përfaqësuesen gjermane kundër Belgjikës në Nuremberg, por të qëndrojë edhe disa javë të tjera.
Shalke arriti një fitore spektakolare dhe lojtarët e saj dëshmuan se e kanë nisur sezonin në mënyrën më të mirë. "Shumë lojtarë janë në fillim të këtij sezoni shumë të motivuar. Por këmba e (Altin) Lalës ishte shumë e lartë", - e kritikon shqiptarin menaxheri i Shalkes, Andreas Myler përmes "Wiesbadener-Kurier.de".
Lala u ndëshkua me karton të verdhë gjatë këtij takimi. "Për t'u përmendur qëndron fatkeqësisht një veprim jo i bukur i Lalës, i cili i ndërhyri nga pas Xhonsit. Vazhdimi: karton i verdhë për shqiptarin, përfundim i lojës për Xhons", - shkruante "Kicker" në komentin e saj për ndeshjen.
Altini po bëhet një personazh i ndërhyrjeve të rënda pasi edhe në Kupën e Gjermanisë është ndëshkuar me dy ndeshje.
Gjithsesi Lala ka qenë ndër më të mirët e ekipit të tij në ndeshjen e humbur me Shalken. Nota 4 për të (i pranueshëm), ashtu si dhe për portierin Enke dhe mbrojtësit Ismael e Shulc. Të gjithë të tjerët janë vlerësuar me notën 5 (dobët).
Duke mbetur te vlerësimet e shqiptarëve në kampionatet gjermane të niveleve të ndryshme ato janë të tilla. Në Bundesliga 1, Ervin Skela u vlerësua me notën 5 (dobët) në humbjen 3-0 në shtëpi të Energi Kotbusit kundër Hofenheimit. Faton Toski u vlerësua me notën 4.5 (kënaqshëm) në ndeshjen e humbur 2-0 nga ekipi i tij, Eintraht i Frankfurtit me Hertën e Berlinit.
Nga ana tjetër, në javën e parë Kapllani ishte gjatë gjithë kohës në bankinë në ndeshjen e fituar nga Karlsruhe me Bokumin (1-0), fat të cilin e pati edhe Mërgim Mavraj te skuadra e tij.
Në Bundesliga 2, Valdet Rama e nisi aventurën e tij me Ingolshtadtin me një gol të mrekullueshëm në fitoren 3-2 kundër Greuther Fyrth, madje kosovari ishte edhe autori i barazimit 1-1. 20-vjecari Rama (Han ia vlen t'i hedhë një sy) u vlerësua me notën 2.5.
Sulmuesi shqiptar me pasaportë finlandeze Njazi Kuqi, autori i golit të tretë në fitoren 3-0 të Tus Koblencit ndaj Oberhauzenit është vlerësuar me notën 2.5 (shumë mirë), por pa mundur të zgjidhet lojtari më i mirë i takimit, mbrojtësi Ziehl me notën 2 ishte më i miri.
Jahmir Hyka (Mainc 05) nuk është vlerësuar për gati dhjetë minutat e aktivizuara të tij në barazimin 3-3 me Kaiserslauternin.