E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pr.ligji, PS kundërshton përgjimet

Tiranë- Partia Socialiste e ka quajtur sot shkelje të së drejtës kushtetuese të jetës private të shtetasve, projektligjin e qeverisë për përgjimet. Sipas sekretarit juridik të PS-së, Ylli Manjani, me projekt ligjin e ri, qeveria kërkon të përgjojë telefonin i çdo shqiptari, sa herë që kjo kërkohet nga Sali Berisha ose ministrat e tij. Që sipas tij, do të thotë se çdo biznesmen që përdor telefonin për të bërë biznes, duhet të llogarisë se biseda e tij mund të merret nga qeveria dhe të përdoret kundër interesave të tij legjitime dhe çdo gazetar që raporton lajmin nëpërmjet telefonit, do t’i duhet të llogarisë se lajmi më parë kalon nga Kryeministri!

“Në vijim të nismave ligjvënëse, anti demokratike që qeveria e Sali Berishës ka ndërmarrë, sot gjendet në Kuvend edhe një projekt ligji për ndryshime ne ligjin për përgjimet telefonike. Duhet të kujtoj se vetëm pak muaj më parë qeveria miratoi me dhunë kartonësh një ligj për përgjimet, ku i jepet kompetencë e gjerë policisë së shtetit”- tha ai, sot gjatë një deklarate për shtyp.

Ai ka tërhequr vëmendjen se ky qëllim i Sali Berishës bie ndesh me liritë dhe të drejtat themelore të shtetasve. Kushtetuta e vendit në nenet17, 35 dhe 36 garanton të drejtën e ruajtjes së jetës private të çdo shqiptari. Kurse qeveria i shkel këto të drejta kushtetuese!

“Me kësi ligjesh Partia Socialiste nuk mund të pajtohet. Ndaj ne i bëjmë edhe njëherë thirrje maxhorancës të ndalojë dhunimin qe qeveria i bën e lirive dhe të drejtave kushtetuese të shqiptarëve”- përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›