Pr/ligji i Av. Shtetit, Debate në Komisionin e Ligjeve
TIRANE- Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm të gjitha vendimet dhe aktet ligjore që do të hartojë qeveria do të bëhen me konsulencën e Avokatit të Shtetit. Ky është një ndër ndryshimet kryesore i parashikuar në pr/ligjin e ri për Avokatin e Shtetit që ka nisur diskutimet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.
“Me ligjin e ri Avokati i Shtetit do të marrë pjesë me konsultimet e veta që në fillesat e ligjit. Nuk do të ndodhë kurrë më që një akt i dalë nga administrata të jetë në kundërshtim me avokatin e tij”- tha Eduard Halimi, kryetari i institucionit të Avokatit të Shtetit. Por opozita ka qenë skeptike lidhur me zbatimin e këtij neni, pasi sipas saj cenohet pavarësia e Avokatit të Shtetit. Në momentin që qeveria mund të nxjerrë vendime që janë politike dhe që bien ndesh me interesin e qytetarëve dhe shtetit. Kjo cështje shkaktoi debate në Komisionin e Ligjeve.
Projektligji për Avokatin e Shtetit, parashikon një reformim rrënjësor të kësaj strukture ku avokatët do të përqëndrohen pranë ministrive dhe do të ndjekin cështjet përkatëse në rrethe. Ndryshe nga praktika e deritanishme sipas së cilës për cdo rreth të vendit kishte një numër të caktuar avokatësh.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)