E Diel, 1 Nëntor 2026

Pr/ligji për Avokatin e Shtetit. Opozita: Cënohet pavarësia

Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, të gjitha aktet ligjore të qeverisë do të hartohen me konsulencën e avokatit të shtetit. Opozita ka kundërshtuar, duke pretenduar se ky nen cënon pavarësinë e strukturës së Avokatit të Shtetit. 

TIRANE - Duke filluar nga data 1 janari i vitit të ardhshëm, të gjitha vendimet dhe aktet ligjore që do të hartojë qeveria do të bëhen me konsulencën e avokatit të shtetit. Ky është një ndër ndryshimet kryesore i parashikuar në projektligjin e ri për avokatin e shtetit që ka nisur diskutimet në komisionin parlamentar të ligjeve.
Në mbledhjen e sotme Eduart Halimi, avokati i Shtetit u shpreh se “me ligjin e ri nga data 1 janar e më tej, avokati i shtetit do të marrë pjesë që në momentin që do të hartohet akti ligjor, nuk do të ndodh më që një akt i dalë nga administrata shtetërore të jetë në kundërshtim me qëndrimin e avokatit të shtetit.”
Por opozita ka qenë skeptike lidhur me zbatimin e këtij neni, pasi sipas saj, cënohet pavarësia e avokatit të shtetit, në momentin që qeveria mund të nxjerrë vendime që janë politike dhe që bien ndesh me interesin e qytetarëve dhe shtetit. Kjo çështje ka shkaktuar debate mes deputetëve në komisionin e ligjeve.
Besnik Dervishi, deputet i PS i pranishem në këtë mbledhje tha se ”nëse klienti nuk ju dëgjon dhe nuk nënshkruan atë akt në formën dhe në përmbajtjen e caktuar që ju e këshilloni, deri ku shkon pavarësia dhe autonomia juaj për të mbrojtur dëmet pasurore që shkaktohen nga ky akt.”
“Në asnjë rast mendimi i avokatit të shtetit nuk do të jetë detyrues për klientin e vet”, tha Eduart Halimi, avokati i Shtetit.
Me tej Ilir Rusmajli, kryetar i Komisionit të Ligjeve tha, “përsëri thoni se kjo qeveri edhe pse po bën këtë xhest që është shumë i çmuar, prap do të bjeri në kundërshtim me këtë ligj. Qeveria tregon një vullnet ekstrem për të disiplinuar fushën”.
Projektligji për avokatin e popullit parashikon një reformim tërësor të kësaj strukture, ku avokatët do të përqendrohen pranë ministrive dhe do të ndjekin çështjet përkatëse në rrethe, krejt ndryshe nga praktika e deritanishme, sipas së cilës, për çdo rreth të vendit kishte një numër të caktuar avokatësh.
(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›