"Pr.ligji për noterinë sjell pasiguri juridike"
Tiranë- Partia Socialiste ka reaguar sot përmes sekretarit juridik Ylli Manjani për nismën më të fundit të qeverisë për shërbimin e noterisë, duke e quajtuar atë të papranueshëm. Manjani e ka cilësuar këtë një nismë që do të prodhojë kaos dhe pasiguri për çdo dokument noterial.
“Shqiptarët, pas miratimit të këtij ligji nuk do të kenë të sigurtë, as pronën, as shtëpinë, e as investimet e tyre. Me aktet noteriale që do të prodhohen nga kioskat noteriale”- tha ai sot gjatë një deklarate për shtyp.
Ky projektligj, sipas tij është në vazhdën e projektligjeve anti reformë e anti shtet që qeveria e sotme paraqet vazhdon të paraqesë në Kuvend. Ai ka theksuar se përmes tij, Berisha synon;të shkatërrojë përfundimisht autoritetin ligjor të shtetit; të lajë duart nga përgjegjësia juridike e shtetit ndaj qytetarëve dhe të forcojë pozitat dominante të zyrës së vetme avokatore pranë Kryeministrit.
Në emër të PS-së, ai është shprehur kundër miratimit të tij, pasi në këtë mënyrë në emër të liberalizimit të këtij shërbimi, shkatërrohet siguria e shtetasve me noterë elektoralë. “Ne nuk mund të pranojmë që në emër të liberalizimit, të forcohet monopoli i zyrës së vetme avokatore me akses të drejtpërdrejt tek Kryeministri! PSSH nuk është dakort sepse as grupet e interesit e as misionet e huaja që asistojnë reformën e drejtësisë nuk janë dakort me këtë projekt ligj”- tha ai.
Qeveria, sipas tij nuk ka marrë në konsideratë asnjë nga sugjerimet dhe komentet e Dhomës së Noterisë, Prezencë së OSBE-së Unionit ndërkombëtar të Noterëve, si dhe Misionit të ekspertëve të BE-së.
PS-ja i ka kërkuar sot qeverisë dhe maxhorancës të konsederojnë diskutimin dhe miratimin e këtij projektligji si pjesë të reformës në drejtësi që kërkon konsensus të gjerë. Është vendi të rikujtojmë se reformat në drejtësi kërkojnë konsensus dhe jo dhunë kartonash.“Nëse kjo qeveri do të vazhdojë në rrugën e saj të paditur duke miratuar ligje të tilla, PSSH në qeverisjen e saj do të korrektojë menjëherë këtë kioskëzimin të pakontrollueshëm të autoritetit të shtetit”- përfundoi ai.