Gërdec, punëtorët kërkojnë rrogat e prapambetura
TIRANË- Kanë punuar në Gërdec duke rrezikur çdo ditë jetën e tyre. Kanë ndihmuar, pa e ditur, në një trafik multimilionë dollarësh. Kanë parë shokët e tyre të digjen të gjallë teksa vetë janë copëtuar dhe tani mësojnë se nuk mund të marrin më as pagën e merituar. Prokuroria e Përgjithshme pranoi paraditen e djeshme kërkesat e 28 ish-punëtorëve të punishtes së çmontimit të municioneve në Gërdec, për vënien në dispozicion të kopjeve të kontratave dhe borderotë e shoqërisë “Albademil”, të sekuestruara pas shpërthimit të 15 marsit, ku mbetën të vrarë 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosen. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë grupit hetimor, të cilët prej 7 muajve po punojnë për zbardhjen e ngjarjes së shpërthimit të 700 tonëve barut e municion, që ishin depozituar nga kompania e “Albademil” në punishten e çmontimit në Gërdec të demontuar dhe në pritje të demontimit.
“Dje, pranë Prokurorisë së Përgjithshme është paraqitur një përfaqësi e 28 ish-punonjësve të fabrikës së Gërdecit, të cilët me anë të një kërkese të përpiluar me shkrim dore dhe të firmosur nga 28 ish-punonjësit kërkohen disa materiale që organi i akuzës i konsideron sekrete hetimore. Punëtorët, me anë të kësaj kërkese, kërkojnë që grupi hetimor t’i vëjë në dispozicion disa dokumente, të cilat duan t’i përdorin si prova në gjykatë për paditë civile që pritet të bëjnë ndaj kompanisë “Albademi” me pronar të pandehurin Mihal Delijorgji. Këta punëtorë, kërkojnë që t’iu vihet në dispozicion nga organi i akuzës të gjitha kontratat e punës dhe borderotë e punëtorëve të mbajtur shënim nga ish-drejtori teknik i kësaj punishteje, Dritan Mixolli”,-thuhet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Mësohet gjithashtu, se shkaku i kësaj kërkese është bërë mos pagimi i 45 ditëve të punës së disa punëtoreve që punonin me rrogë mujore dhe 14 ditëshi i muajt mars për disa punëtorë që paguheshin çdo 15 ditë. Këto dokumente, sipas ish-punëtorëve, do t’i bashkëngjiten padisë civile e cila pritet të dorëzohet në Gjykatë, ku i kërkohet kompanisë “Albademil” të paguajnë rrogat e prapambetura që t’i përdorin për paditë e dëmshpërblimit që punëtorët do të kërkojnë në gjykatë, për plagët e shkaktuara dhe mos pagimin e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, mësohet se disa nga këta ish-punëtorë kanë bërë gati paditë por kërkojnë nga akuza vënien në dispozicion të këtyre materialeve për të kërkuar edhe dëmshpërblimet për pronat e tyre të dëmtuara që ndodhen përreth fabrikës. “Kërkesa e tyre është pranuar në parim, por nuk mund t’i vihet në dispozicion asnjë nga këto dokumente të kërkuara, pasi dosja është nën hetim dhe këto dokumente cilësohen si sekret hetimor pasi përbëjnë prova materiale për grupin hetimor”,-thuhet nga burimet e akuzës. Ndërkaq, kohë më parë, avokatët e familjarëve të viktimave të Gërdecit, me ndihmën e organizatës “MJAFT” kanë kërkuar nga grupi hetimor të bëhen pjesë e hetimit të çështjes, duke u njohur si palë në proces. Kjo kërkesë e avokatëve të zgjedhur nga disa familje të viktimave ende deri më sot nuk kanë marrë një përgjigje për përfshirjen ose jo të tyre në dosjen hetimore si palë e dëmtuar, pasi edhe Kodi i Procedurës Penale nuk e parashikon një gjë të tillë. Sipas këtyre burimeve, dosja penale ndaj tre të pandehurve që ndodhen në qelitë e paraburgimit “Jordan Misja”, shtetasve Mihal Delijorgji, kunatit të tij Dritan Minxholli dhe ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, ndodhet në fazën e hetimit, që për akuzën janë vënë në dispozicion nga Prokuroria e Përgjithshme edhe 5 muaj hetim, deri në përfundim të afateve hetimore, pasi ndaj tyre janë ngritur akuza të reja, ajo e “vrasjes në rrethana cilësuese”. Ndërsa për deputetin Fatmir Mediu në kohën e shpërthimit të fabrikës me detyrë Ministër i Mbrojtjes, prokuroria ka filluar hetimet për “shpërdorim detyre”, për veprimet dhe mosveprimet e kryera para, gjatë dhe pas ngritjes së kësaj punishte të kthyer në ferr për banorët e fshatit Gërdec dhe Marqinet.