E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria rrëfen në gjykatë Masakrën e Cërrikut

Nis gjyqi ndaj 9 të pandehurve për vrasjen makabre të gjashtë gardistëve dhe plagosjen e të tjerëve në 1997

TIRANË- Gjykatës së Krimeve të Rënda iu deshën gjashtë seanca gjyqësore që t’i jap fjalën prokurorit të çështjes të lexojë kërkesën për gjykim ndaj 9 të pandehurve që akuzohen për “masakrën e Cërrikut”, ku në një pritë në hyrje të qytezës u vranë dhe u dogjën të gjallë 6 efektivë të Gardës dhe u plagosën 16 të tjerë. Seanca filloi me debate mes palëve, ku avokatët kërkuan të përjashtojnë nga procesi njërin nga dy prokurorët e çështjes, Anton Martinin. Kjo me pretendimin se ai është kushëriri i njërit prej viktimave të kësaj “masakre”, efektivit të Gardës, Sali Martini. Vetë prokurori kërkoi nga gjykata të mos pranohen këto pretendime, pasi sipas tij nuk është kushëri i parë viktima dhe dosja hetimore është rihapur nga policia dhe jo prokuroria. Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve u këshillua me anëtarët e trupit gjykues dhe vendosi të rrëzojë kërkesën e pavlefshmërisë së dosjes dhe hoqi përgjegjësitë e saj në lidhje me largimin e prokurorit, pasi sipas vendimit “nuk është gjykata ajo që largon një prokuror nga dosja”. Në leximin e kërkesës, prokuroria përmendi emrat e 140 dëshmitarëve që do të provojnë veprën kriminale të 9 të pandehurve. Dëshmia e Bujar Buzanit është cilësuar si pika kryesore për zbardhjen e kësaj masakre të ndodhur 11 vite më parë në qytezën e Cërrikut. Në listën e provave do të jenë edhe pamjet filmike të masakrës.

Gjithçka, sipas akuzës, ka ndodhur paraditen e 23 majit 1997, kur autokolona e përbërë nga dy kamionë të tipit “IFA”, një furgon i blinduar dhe dy diagaçe ishin nisur nga Elbasani për në Cërrik, ku me të hyrë në lagjen nr. 3 të këtij qyteti ata janë përballur me të shtëna të mëdha nga tarraca e kinemasë dhe dritaret e saj, ku ishin pozicionuar nën organizimin e Met Bozit dhe Llazar Bicjes, të pandehurit: Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani së bashku dhe me shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, dhe Bashkim Buzani. Ndërsa, i pandehuri Roland Sota (Xhepexhiu) me bashkëpunëtorët e tij të armatosur me armë zjarri të kalibrave të ndryshme si automatikë kallashnikov, pistoleta, granata, kundra-tank, etj, të cilët janë pozicionuar në tarracën e pallatit që ndodhet rreth 200 m larg kinemasë. Me të hyrë forcat e policisë në rrezen e tyre, të pandehurit në bashkëpunim me të tjerët, kanë filluar të qëllojnë me armë dhe granata në drejtim të autokolonës, dhe njëra prej granatave të hedhura ka përfunduar brenda diagaçit të blinduar, duke shkaktuar djegien e menjëhershme të dy gardistëve dhe katër të tjerët sapo kanë dal jashtë digaçit që po digjej, janë përballur me breshëri plumbash duke mbetur të vrarë, ndërsa ngashkëmbimi i zjarrit kanë mbetur të plagosur 16 efektivë të tjerë të policisë dhe Gardës së Republikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›