E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos 27-vjeçarin, në kërkim autori

Fier- Një 27-vjeçar ka mbetur i plagosur, pasi e kanë qëlluar me armë gjahu në rrethana ende të paqarta. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Pojan, të rrethit të Fierit, vetëm pak më parë.

“Shtetasi Florenc Sheqi, 27-vjeç, banor i zonës ka mbetur i plagosur nga të shtënat e një ame gjahu, saçmet e të cilës i janë derdhur mbi trup”- thanë të njëjtat burime.

I riu, sipas hetimeve të para të policisë është qëlluar nga pas shpine dhe saçmet e kanë kapur në pjesën e poshtme të trupit, duke përfshirë edhe vithet. Ai ka mbetur i shtrirë përtokë nga goditja dhe është dashur ndërhyrja e kalimtarëve për ta transportuar në spitalin rajonal të qytetit.

Sipas mjekëve, 27-vjeçari i është nënshtruar ndërhyrjes për të marrë ndihmën e parë, por gjendja e tij është kritike.

Ata kanë kërkuar që ai të transportohet në drejtim të Tiranës për të marrë një ndihmë më të specializuar dhe pritet të bëhet shoqërimi i tij në kryeqytet.

Ndërkohë, policia bën me dije se ka identifikuar autorin e plagosjes, por nuk jep identitetin e tij, për arsye se ai është shpallur person në kërkim. Nuk ka asnjë të dhënë për shkaqet e ngjarjes, pasi gjendja e të riut e ka bërë të pamundur dëshminë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›